A ka lojtarë që refuzojnë Real Madridin? Ndodh shumë rrallë dhe, kur ndodh, zakonisht pendohen.
Ky, megjithatë, nuk është rasti i talentit të Kroacisë dhe Dinamos së Zagrebit, Martin Baturina, i cili ka refuzuar një ofertë konkrete nga klubi madrilen.
Los Blancos kanë biseduar me familjen e 21-vjeçarit duke i ofruar një kontratë pesëvjeçare. Ideja e madrilenëve ka qenë huazimi 2-vjeçar i lojtarit në një skuadër në La Liga.
Me të dëgjuar këtë kusht, djaloshi ka refuzuar ofertën. “Dua një klub big i cili më garanton menjëherë minuta”, ka qenë përgjigjja e tij.
Vlera e tij sot llogaritet te rreth 25 mln euro. Për të kanë interes Barcelona, Manchester United, Bayern dhe Atletico Madrid.