Dëmtimi në ligamentin e kryqëzuar të gjurit kanë qenë një kryefjala e kësaj fundjave kur flasim për shëndetin e lojtarëve.
Në ndeshjen e së shtunës mes Realit dhe Osasunës (4-0) Eder Militao këputi ligamentin e kryqëzuar, i dyti në vetëm një vit. Të njëjtin dëmtim pësuan dhe anësori i Vijarrealit, Ilias Akomah dhe nga anësori i Leganes, Enrik Frankesa.
Reali i Madridit është një nga skuadrat më të prekura nga ky lloj dëmtimi në këtë sezon dhe jo vetëm. Më 5 tetor Dani Karvahal pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë, të ligamentit kolateral të jashtëm dhe tendinit popliteal në këmbën e djathtë, duke iu shtuar atyre Joan Martinez dhe Çezar Palasios, dy nga të rinjtë më premtues të akademisë së klubit të bardhë. Pa harruar të njëjtat dëmtime edhe vitin e kaluar të portierit Tibo Kurtua dhe mbrojtësve David Alaba dhe Eder Militao.
Pak orë pas dëmtimit të Militaos, në ndeshjen mes Vijarrealit he Alaveshit, Ilias Akhomah, i cili kishte shënuar golin e parë për “nëndetësen e verdhë”, ishte një tjetër prej të prekurve nga “murtaja e ligamentit të kryqëzuar”. Edhe për të sezoni i mbyllur. Për të mbyllur një të shtunë të errët, në duelin që mbylli ditën mes Leganesit dhe Seviljes, mbrojtësi i Leganes, Enrik Frankesa u largua nga fusha në minutën e 67-të pas një veprimi që dukej serioz, siç u konfirmua 24 orë më vonë, me të njëjtën diagnozë dëmtim të ligamentit të kryqëzuar.
LIGA E MALLKUAR – Fatkeqësisht, në La Liga, këto lloj dëmtimesh janë kthyer në diçka e zakontë. Barcelona, ka në listën e saj me këtë diagnozë Mark Bernal, që pësoi një çarje në ligamentin e përparmë të kryqëzuar të gjurit të majtë. Po kështu, edhe pse nuk ishte i njëjti dëmtim, portieri gjerman Mark Andre Ter Shtegen pësoi një këputje të plotë të tendinit patelar në gjurin e tij të djathtë. Të tjerë të prekur në sezonin aktual në ligën spanjolle me këtë “virus” kanë qenë dhe Hamari Traore (Sociedad) dhe mbrojtësi i Valencias, Tierri Korreia.
ANGLIA, ITALIA, FRANCA… – Spanja nuk është vendi i vetëm i prekur nga kjo lloj diagnoze. Edhe në Europë, ligamenti i kryqëzuar nuk po kursen askënd. Të enjten e kaluar, Mauro Ikardi, i cili luan për Gallatasarajin u bë i fundit në listë me një dëmtim të njëjtë si ai i Militaos e listës që kemi përmendur më lart. Në Premier Ligë, më 25 shtator, Rodri Hernandez, fitues i “Topit të Artë” këputi ligamentin e kryqëzuar të gjurit të djathtë.
Mesfushori spanjoll i Sitit iu bashkua lojtarit të Uolverhempton, Enco Gonzalez. Në rastin e Serisë A kanë pësuar dëmtime të kësaj natyre disa lojtarë: Skamaka i Atalantës, mbrojtësi i Juventusit, Glesion Bremer, mbrojtësi kolumbian i Torinos, Duvan Zapata apo mbrojtësi i Romës, Alesandro Florenci. Në Francë janë gjashtë lojtarë që kanë pësuar të njëjtin dëmtim në këtë sezon.