Mateo Gabia është i etur për t’u rikthyer: pas tendosjes së muskujve të pulpës të pësuar më 27 tetor, mbrojtësi kuqezi dëshiron të jetë i pranishëm kundër Juventusit kur të rifillojë kampionati. “Qëllimi im dhe i stafit mjekësor është që të jem sa më i gatshëm për atë ndeshje.
Më pas do të jetë trajneri Fonseka që do të vendosë se kush do të zbresë në fushë”- deklaroi mbrojtësi në një intervistë ekskluzive për Sportmediaset – “Në këtë periudhë kam punuar për t’u rikuperuar dhe e kam përdorur kohën për t’u përmirësuar.
Jam shumë pranë rikthimit në fushë tani dhe për këtë jam i lumtur”, vijoi 25-vjeçcari. Ai, si vëzhgues i jashtëm në këto ndeshje mungese, përpiqet të shpjegojë golat e shumtë të shënuar nga Milani së fundmi gjatë një eventi për llogari të klubit kuqezi: “Siç e them gjithmonë në ndeshjet ku ne vuajmë, është përgjegjësi e të gjithëve. Puna duhet të jetë totale në fazën e mbrojtjes dhe jo individuale. Gjatë pushimit të kampionatit do të punojmë për të kufizuar këto gabime dhe që në të ardhmen të mos ketë më lëshime sa i përket aspektit difensiv”.
SI LEGJENDAT – Mbrojtësi kuqezi e mbyll fjalën më pas duke u fokusuar mbi dashurinë që e lidh për Milanin, klub me të cilin shumë shpejt duhet edhe të rinovojë kontratën. “Është një emocion i veçantë të përfaqësosh Milanin në Evropë, edhe sepse na kanë lënë një trashëgimi shumë të rëndësishme me shumë fitore, të cilat kanë bërë historinë e këtij sporti dhe të këtij klubi.
Rrjedhimisht, përpiqemi çdo herë të jemi në nivelin e duhur, të japim 100 për qind dhe shumë herë arrijmë të marrim një kënaqësi të madhe si javën e kaluar kundër Realit të Madridit. Është e qartë se për të arritur nivelet dhe standardet që Milani me të drejtë meriton, duhet shumë angazhim dhe ndoshta edhe pak kohë. Por jemi në rrugën e duhur, kemi vullnetin që të mund të përpiqemi të rishkruajmë historinë siç bënë ata që u bënë legjendë”, përfundoi Gabia.