Mesfushori i Liverpulit, Aleksis MakAlister, po përballet me një situatë të pazakontë në jetën e tij jashtë fushës së lojës, teksa ka pranuar se është në gjyq me ish të dashurën e tij modele, me të cilën u nda pak ditë pasi fitoi Kupën e Botës me Argjentinën në vitin 2022.
E dashura e tij për pesë vite, Kamila Majan, pak ditë pasi çifti u nda, vendosi ta hidhte në gjyq atë, duke kërkuar dëmshpërblim financiar për periudhën që kishin jetuar bashkë, pasi e kishte ndjekur kudo në karrierën e tij. Ajo gjithashtu pretendon që ai e ka tradhtuar gjatë kësaj periudhe, si dhe nuk i ka kthyer disa nga sendet e saj personale që kishin mbetur në banesën në të cilën kishin jetuar bashkë.
MakAlister ka folur për “The Mirror” rreth kësaj teme për herë të parë. “Nuk kishte asnjë lloj marrëdhënie. Ajo mori rrugën e saj, unë mora rrugën time dhe kjo është gjithçka. Sa i përket çështjes gjyqësore, ajo është në gjykatë dhe ne po presim.
Mendoj se është normale në një marrëdhënie, ajo mori një vendim që të dalë në publik dhe të bëjë publike gjëra që ajo ndjen se beson që kanë ndodhur. Por unë e di si kanë shkuar gjërat dhe kjo është arsyeja pse jam shumë i qetë”, tha MakAlister, i cili ka nisur një lidhje pak ditë pas ndarjes me modelen Ailen Kova, shoqen e ish-të dashurës.