Pa fashë te gjuri, ylli i Kombëtares është 100% gati ndaj Çekisë

Futboll

Pa fashë te gjuri, ylli i Kombëtares është 100% gati ndaj Çekisë

Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 09:13
Kristjan Asllani

Një nga lojtarët më të rëndësishëm në ekipin kombëtar është Kristjan Asllani. Mesfushori është truri i këtij reparti dhe personi që merr përsipër të nxjerrë topin nga mbrojtja përpara.

Në ditët e fundit, ai është rikthyer nga një dëmtim që pësoi në stërvitje me Interin dhe për këtë humbi edhe disa ndeshje.

Ndërkohë tani, mund të themi se Asllani është rikuperuar dhe do të jetë 100 për qind i gatshëm për Silvinjon në dy ndeshjet e Kombëtares në Ligën e Kombeve, me Çekinë dhe Ukrainën.

Dyshimet për Asllanin vijuan në seancën e parë të ekipit, ku mesfushori u shfaq në stërvitje me gjurin e fashuar, një masë mbrojtëse për rrezikun nga ndonjë ridëmtim.

Por, ishte vetëm një seancë sepse dje, 22-vjeçari nuk kishte gjurin e fashuar dhe u stërvit normalisht duke lënë pas shqetësimet.

Kujtojmë që Asllani është titullar në ndeshjet e Silvinjos dhe në takimin e fundit të fituar në Gjeorgji, ishte pikërisht ai që shënoi golin e fitores, pas asistit të Tucit.

Ndeshja me Çekinë do të jetë e 28-a për Kristjan Asllanin me fanellën e ekipit përfaqësues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat