Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco ka folur për sulmuesin Vitor Roque, i cili në verë është huazuar te Real Betisi për të fituar më shumë minutazh.
Roque erdhi në janar te Barcelona, pasi kishte shënuar 20 gola në ligën e parë braziliane dhe pritej të kishte një ndikim të menjëhershëm në Spanjë.
Megjithatë, Roque u përball me presion të lartë nga tifozët dhe mediat, duke bërë që ai të akuzohej shumë për çmimin e paguar për të.
Por, Deco ka zbuluar se Barcelona ka paguar vetëm tarifën fillestare, pasi lojtari nuk ka arritur të përmbush asnjë bonus.
“Vitor Roque kushtoi 30 milionë euro, jo 60 milionë euro, sepse asnjë bonus nuk është përmbushur pasi ai nuk ka fituar tituj me ne dhe nuk ka arritur një përqindje specifike të ndeshjeve, kështu që është vetëm 30 milionë euro”, ka thënë fillimisht Deco për Mundo Deportivo.
“Unë nuk mendoj se Roque dështoi për shkak të çmimit. Ai bëri shumë duke mbërritur në janar. Ai u lëndua para se të vinte, ndoshta ai nuk ishte i përgatitur siç duhet kur mbërriti dhe shkoi direkt për të luajtur në Barbastro dhe Arabi Saudite pa pasur një plan”.
“Mendoj se sulmi ndaj tij ishte një sulm shumë i shëmtuar, por ai do të shërohet dhe do të tregojë se është një lojtar i madh”, përfundoi drejtori sportiv i Barçës.