​Kosova e ka detyrim ta mposhtë Rumaninë

Futboll

​Kosova e ka detyrim ta mposhtë Rumaninë

Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 11:03
Kosova synon ta vazhdojë ecurinë pozitive të rezultateve pasi ka regjistruar tri fitore radhazi në këtë garë

Ballafaqimin e parafundit në Ligën e Kombeve, Kosova do ta zhvillojë nesër kundër Rumanisë në Bukuresht. Rumunët janë liderë të grupit 2 në Ligën C me 12 pikë, tri më shumë se “Dardanët” e vendit të dytë.

Megjithëse gjasat për kualifikim janë tashmë minimale, Kosova synon ta vazhdojë ecurinë pozitive të rezultateve pasi ka regjistruar tri fitore radhazi në këtë garë.

Analistë e njohës të futbollit konsiderojnë që triumfi ndaj Rumanisë do të ishte edhe një detyrim duke marrë parasysh humbjen që ata ua shkaktuan Dardanëve në “Fadil Vokrri”.

Trajneri i futbollit, Robert Gjeraj thotë se asgjë tjetër përveç fitores nuk do të duhet të ishte alternativë për Kosovën në ndeshjen e nesërme.

Gjeraj: Fitorja ndaj Rumanisë është detyrim

“Nuk mund të mendojmë asgjë tjetër veç fitores edhe pse është shumë e vështirë fitorja duke e ditur që Rumania është një ekip shumë i fortë, kanë një trajner me shumë përvojë edhe na duhet një rezultat ndoshta më bindës, mirëpo është obligim ndaj tifozëve të Kosovës, njerëzve të Kosovës, të cilët e kemi përcjellë me vite Kosovën dhe kemi hequr shumë për të ardhur deri këtu. Na duhet një fitore si detyrim, jo për arsye për t’u kualifikuar patjetër, por si detyrim për t’i kënaqur tifozët tanë dhe për t’iu kundërvënë Rumanisë për atë pritjen që na e kanë bërë në ndeshjen e kaluar që e kemi pasur në Rumani, për ato fyerjet që na i kanë bërë gjatë gjithë kohës”, thekson Gjeraj.

Për gazetarin e sportit Besmir Topalli, mungesa e Milot Rashicës dhe Bersant Celinës do të ketë ndikim të madh në formacionin e Franco Fodas duke zvogëluar edhe më shumë gjasat për fitore.

Topalli: Vështirë që Kosova të mposhtë Rumaninë

“Mungesat e mëdha sidomos edhe pjesa e shpresës për të arritur ndonjë fitore ndaj Rumanisë, mungesa e Milot Rashicës dhe e futbollistit Bersant Celina, sidomos një pritje e gjatë që ai të jetë në Listën e Kosovës, unë u habita me qëndrimin e trajnerit Franco Foda i cili u shpreh shumë optimistë në lidhje me sfidën ndaj Rumanisë. Pavarësisht mungesave shpresoj që Kosova të arrijë një fitore por që do të jetë shumë e vështirë fitorja e cila na nevojitet matematikisht për të fituar 4-0 dhe kjo është paksa e pa mundur sidomos duke marrë parasysh lojën e parë të cilën e kemi humbur pikërisht ndaj Rumanisë me rezultat 0-3”, thotë Topalli.

Kurse, analisti i futbollit, Gani Sejdiu kosnideron se lojtarët duhet të japin maksimumin në fushë për një tjetër fitore, edhe pse përballja në Bukuresht nuk do të jetë aspak e lehtë.

Sejdiu: Kemi gjasa ta mposhtim Rumaninë

“Unë mendoj që është një moment i mirë që kombëtarja jonë realisht të shkojë me ambicie të larta atje, pa dal jashtë organizimit dhe disiplinës brenda fushës por mendoj me një qasje më ambicioze për arsye se e vetmja alternativë është fitorja... Në këtë moment e kemi pak të vështirë, gjasat janë minimale, por megjithatë derisa janë minimale, ne duhet ta bëjmë maksimumin për të nxjerrë më të mirën e mundshme... Unë mendoj që kemi gjasa të dalim fitimtarë në këtë takim, pavarësisht se është shumë vështirë”, thotë Sejdiu.

Ndeshja ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:45 në stadiumin në Stadiumin Nacional në Bukuresht. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat