Dorival: Do të jetë e vështirë te fitojmë në Venezuelë

Futboll

Dorival: Do të jetë e vështirë te fitojmë në Venezuelë

Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 11:42
Dorival Junior

Brazili do të luajë në Venezuelë ndeshjen e radhës në Amerikën Latine, duke kërkuar të vazhdojë serinë e dy fitoreve radhazi që filloi në tetor. Kombëtarja Selecao synon të ngjitet edhe më tej në renditje për të siguruar kualifikimin në Kupën e Botës.

Aktualisht, kombëtarja e Brazilit është në vendin e katërt me 16 pikë, gjashtë prapa Argjentinës, që kryeson renditjen e grupit të vetëm kualifikues të Amerikës së Jugut për Kupën e Botës 2026.

Në dy takimet e radhës, për Brazilin rikthehet të luajë Vinicius Junior, që do të jetë titullar, siç konfirmoi trajneri Dorival Junior në një konferencë për shtyp. “Nuk kam pasur asnjë dyshim në asnjë moment, ai do të luajë titullar”, tha Dorival.

Më tej, trajneri i kombëtares braziliane shtoi: “Rreth ekipit është krijuar një mjedis shumë i favorshëm pas rezultateve të fundit. Do të jetë e vështirë, pasi futbolli venezuelian është rritur, ndaj duhet shumë kujdes në këtë sfidë”.

“Ata janë të pamposhtur në shtëpi, me dy fitore dhe tre barazime, përfshirë ato kundër Argjentinës dhe Uruguait. Le të harrojmë ndeshjet e lehta me Bolivinë dhe Venezuelën deri para disa vitesh, rendi i futbollit botëror ka ndryshuar dhe do të jetë e vështirë”, tha Dorival.

“Unë kam shumë besim te skuadra duke parë atë që kemi bërë në stërvitje dhe shpresoj se mund ta përsërisim në fushë”, tha trajneri i Selecao.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat