Pasi e kompletoi “ngrohjen”, selektori i Kombëtares shqiptare, Sylvinho i ka provuar lojtarët të cilët me shumë gjasë do ta veshin një fanellë titullari në ndeshjen e rëndësishme kundër Republikës Çeke në Ligën e Kombeve.
Gjatë testit kundër ekipit të dytë, në sy ra forma e Ardian Ismajlit, i cili e bëri një bllok shumë të bukur te një gol i sigurt i Seferit.
Po ashtu, mbrojtësi që e kishte vendosur edhe maskën në fytyrë, nuk u kursye me një “sparkatë” kundër Uzunit duke e larguar topin në këndore.
Disi në “gjumë” mesfusha dhe sulmi nga ana e titullarëve, ndërkohë që Hoxha, Muçi, Uzuni dhe Muja kishin një marsh më shumë, kjo ndoshta për ta bindur Sylvinhon për t’u aktivizuar sa më shumë.
Mungesa të tjera nuk pati, me Nedim Bajramin dhe Arlind Ajetin që e mbyllën seancën disa minuta më përpara, trajneri brazilian kishte vendosur që Sergesio Geci të stërvitej sërish me grupin.
I vetmi që punoi i diferencuar ishte Mirlind Daku, me sulmuesin i cili është i pezulluar në ndeshjen e parë me Çekinë.
Po ashtu, stërvitjen e parë ditën e djeshme e kryen edhe Adrian Bajrami dhe Jon Mersinaj, dy mbrojtësit që i zëvendësuan Marash Kumbullën dhe Berat Gjimshitin.
Seanca e radhës stërvitore do të zhvillohet ditën e sotme, po në “Shtëpinë e Futbollit”.
Panorama Sport e ka publikuar formacionin e mundshëm të Kuqezinjve ndaj çekëve, në ndeshjen që do të luhet të shtunën mbrëma.