Legjenda rumune Adrian Mutu: Nëse humbim nga Kosova,
Legjenda rumune, Adrian Mutu shprehet optimist se kjo Kombëtare do të dalë triumfuese ndaj Kosovës nesër mbrëma në ndeshjen vendimtare dhe përcaktuese për vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve.
Ish-futbollisti i Interit e Juventusit thotë se për rumunët nuk duhet të jetë i rëndësishëm spektakli, por vetëm fitorja, ndërsa i paralajmëroi ata që të mos e nënvlerësojnë kundërshtarin dhe të japin gjithçka nga vetja, në mënyrë që ta kërkojnë më pas kualifikimin në Kupën e Botës 2026.
“Nuk është domosdoshmërisht loja më e vështirë, por më e rëndësishmja.
Është e një rëndësie të madhe, sepse, në rast humbjeje, na dërgon në pikën kur në xhiron e fundit bëhet gjithçka më e komplikuar.
Kam luajtur edhe vetë me shpatën mbi kokë, siç mund të thuhet, në rast humbjeje…”, deklaroi fillimisht Mutu për mediumin rumun “Fanatik.ro”.
“Por, mendoj se kjo nuk do të ndodhë pasi ekipi kombëtar vjen nga katër rezultate pozitive, vjen nga një lojë e mirë, ka shpirt pozitiv.
Mendoj se me ardhjen e trajnerit Mircea Lucescu, përreth ekipit kombëtar gjithçka është pozitive, kështu që pres fitore, natyrisht. Të gjithë presin fitore, por mendoj se pragmatizmi duhet të mbizotërojë në kombëtare, duhet t’i mbajmë pikët në shtëpi dhe ‘ciao’.”
“Paraqitja nuk ka kurrfarë rëndësie në këtë moment, duhet të jemi pragmatikë, të mendojmë vetëm për rezultatin.
Natyrisht, të gjithë spektatorët në ‘National Arena’ do të jenë me Rumaninë dhe do ta inkurajojnë ekipin, kështu që djelmoshat nuk kanë ndonjë presion ekstra”, vazhdoi Mutu.
Aktualisht, Rumania i ka 12 pikë, tri më shumë se Kosova, por edhe një kapital prej tre golash pas fitores që e kishte regjistruar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në muajin shtator.
Andaj, Kosovës i nevojitet një fitore me më shumë se tre gola epërsi për ta marrë eventualisht primatin në grup.
Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës do të luhet nesër mbrëma duke filluar nga ora 20:45.