Andres Iniesta ka njoftuar se ai dhe kompania e tij “Never Say Never” janë bërë pronarë të klubit danez të futbollit Helsinger. Në një prononcim për një gazetë daneze dhe për televizionin danez, ai ka konfirmuar se së bashku me një kompani zvicerane ka blerë pronësinë shumicë të këtij klubi.
“Ne e filluam bashkëpunimin me Helsinger sepse është një klub tepër emocionues, me infrastrukturë të shkëlqyer, njerëz shumë të mirë brenda dhe përreth klubit dhe potencial për t’u bërë pjesë e rëndësishme e futbollit danez”, tha Iniesta.
Shefi ekzekutiv i Helsinger, Bo Bey Haugor tha në shtator se ai shpresonte se Iniesta do ta blinte klubin pasi kompania e tij i kishte ofruar atij shërbime konsulence sportive që nga vera e kaluar. Hougor do të mbajë pozicionin e tij si menaxher i përgjithshëm i klubit dhe Iniesta dhe drejtori i kompanisë zvicerane, Jaume Sabate, pritet të marrin pjesë në ndeshjen e Helsinger kundër Ishoy IF në Kategorinë e Dytë Daneze të premten.
Kompania “Never Say Never” merret me komunikim, marketing dhe shërbime konsulence, dhe Iniesta është bërë pjesë aktive e saj që nga fundi i karrierës së tij si lojtar muajin e kaluar.
Klubi i Futbollit “Helsinger”, i cili u themelua në vitin 2005, aktualisht është i shtati në tabelën e kategorisë së dytë me 19 pikë.