Klaudio Ranieri është zyrtarisht trajner i Romës. Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi përmes një postimi në rrjetet sociale.
Rikujtojmë që kjo është hera e tij e tretë në pankinën e verdhekuqve pas asaj dyvjeçare 2009-2011, e cila përfundoi me dorëheqjen e tij në mesin e sezonit të dytë dhe pas vitit 2019, kur mori drejtimin për të mbyllur sezonin e Romës pas shkarkimit të Di Françeskos.
Ranieri ka nënshkruar një kontratë deri më 30 qershor 2025 dhe pritet që sot të drejtojë seancën e parë stërvitore.
"Roma ka kënaqësinë të njoftojë se Klaudio Ranieri është trajneri i ri i ekipit të parë.
Në përfundim të sezonit, Klaudio do të kalojë në një rol të lartë ekzekutiv, ku do të jetë këshilltar i pronësisë për të gjitha çështjet sportive në klub. Kërkimi për një trajner të ardhshëm do të vazhdojë gjatë muajve të ardhshëm. Klaudio do të ketë kontribut edhe në atë vendim.
I lindur në Romë dhe një romanist i përjetshëm, Ranieri veshi fanellën e verdhekuqve si lojtar gjatë sezonit 1973-74 dhe më vonë shërbeu si trajner i ekipit në dy raste të veçanta (nga 2009 në 2011 dhe në 2019). Ai është një simbol i vërtetë i vlerave të Klubit dhe një nga figurat më të respektuara të sportit romak në mbarë botën.
Ranieri sjell me vete një pasuri të madhe njohurish dhe eksperience nga Serie A, Premier Ligë, La Liga dhe Ligue 1, duke menaxhuar klubet më të mira evropiane dhe duke fituar tituj historikë, siç ishte triumfi i tij legjendar në 2016 me Leistërin.
Klubi i shpreh urimet më të mira atij për këtë kapitull të ri emocionues në karrierën e tij, me besim se ai do të jetë një pasuri e paçmuar për ekipin dhe për të gjithë AS Roma.
Forza Roma dhe mirë se erdhe, zotëri!", njofton FC Roma.