Mund të jetë si një “AS” nën mëngë për Silvinjon, ja pse fitorja kalon nga Indrit Tuci

Futboll

Mund të jetë si një “AS” nën mëngë për Silvinjon, ja pse fitorja kalon nga Indrit Tuci

Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 17:16
Indrit Tuci

Duhet të jesh në momentin e duhur dhe në vendin e duhur! Zoti i dha një shans të madh, Indrit Tuci e shfrytëzoi.

Në listën e tetorit asnjë ftesë për Tucin, i cili te Sparta e Pragës po qëndron shpesh në stol dhe rrallë si titullar. Por dëmtimet e shumta në sulm bën që Silvinjo të thërriste edhe Indrit Tucin.

Sikur të ishte e shkruar gjithçka për të ndodhur, edhe Mirlind Daku zhvilloi ndeshjen më të dobët ndoshta të jetës, kundër çekëve. Silvinjo nuk e kishte një tjetër zgjedhje kundër Gjeorgjisë, duhet të provohej Indrit Tuci. Në fund, rezultoi goditje e madhe.

Fitorja erdhi nga pasimi i Tucit, por që bëri shumë më tepër sesa thjeshtë ai pasim.

Ndoshta Indriti nuk është Armando Broja i driblimeve dhe spektaklit, ndoshta nuk është ende Rei Manaj që në ditën e tij më të mirë merr zvarrë këdo, por është thjeshtësia që është kaq e vështirë të gjendet në futboll, është përulja që nuk e ka asnjë sulmues tjetër te Shqipëria.

E sigurt është që nëse topi shkon te Indrit Tuci, ky i fundit do ta pasojë te një tjetër shok i skuadrës që është në pozicion më të mirë. E sigurt është që Indrit Tuci nuk do të kursejë asnjë energji nga vetja për të vrapuar pasi e di edhe konkurrencën mbrapa tij.

Gjithashtu sulmuesi i Spartës së Pragës hapte hapësira shumë të rrezikshme dhe kishte një nuhatje me portën që ishte për t’u vlerësuar.

Sigurisht ka ende shumë punë përpara që të kërkojë vendin e titullarit edhe kur të kthehen të gjithë sulmuesit e tjerë te Shqipëria. Por kundër Cekisë, ka shumë gjasa që fitorja të vijë nga thjeshtësia e Indrit Tuci. Arsyeja? E thjeshtë, sepse me të shfrytëzoi i gjithë potenciali i lojtarëve të tjerë të Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat