Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e saj në stadiumin “Arena National” në Bukuresht, ku nesër mbrëma do të përballet me Rumaninë, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve. Atmosfera tek Dardanët është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të përqendruar dhe të motivuar për këtë sfidë kyçe.
Para stërvitjes, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda dhe mesfushori Elvis Rexhbeçaj, dolën në konferencë për media. Foda shprehu besimin e tij për një paraqitje të fuqishme të ekipit dhe theksoi rëndësinë e respektit në fushën e lojës.
Ai rikujtoi se Kosova ka udhëtuar në Rumani me qëllimin e vetëm për të fituar këtë ndeshje, të cilën e cilësoi si “finale” për ekipin e tij.
Pavarësisht se ndeshjen e parë në Prishtinë Rumania e fitoi me rezultat 3:0, Foda beson se Kosova është e gatshme të luftojë për fitore dhe të tregojë rritjen që ka arritur kohët e fundit.
“Puna ime është ta përgatis ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këtë e kemi bërë gjatë ditëve të fundit. Pres që nesër të ketë respekt në fushë dhe të tregojmë lojën më të mirë të mundshme”, theksoi Foda.
Ai tutje tha se ashtu sikurse secila skuadër, edhe Rumania ka pikat e saj të dobëta, por ka edhe pika shumë të forta. Foda tha se do të ketë ndryshime nga ndeshja e parë në shtator, qoftë taktike apo edhe në qasje të lojës.
“Përkundër faktit që kemi pësuar humbje 3:0 në Prishtinë, besoj se me paraqitjen që kemi treguar kemi qenë të përafërt, por kemi pësuar gola të lehtë dhe kjo ka ndikuar në atë rezultat. Sa i përket paraqitjes nuk them se kemi pasur shumë dallim nga kundërshtari.
Pastaj, i kemi fituar nëntë pikë ndaj Qipros dhe Lituanisë dhe kjo ka rritur besimin e ekipit. Kemi treguar se kemi bërë një hap përpara.
Kemi shumë mungesa të rëndësishme ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Besoj se ekipi është më lart se sa ka qenë në shtator dhe besoj e është i gatshëm ta tregojë gjithë potencialin në kërkim të fitores.
Është e qartë se ne jemi këtu për të tentuar fitoren. Duhet të jemi agresiv, ta fitojmë topin sa më shpejt. Do të kemi 90 minuta kohë për ta fituar ndeshjen. Gjithçka është në duart tona. Nëse duam vendin e parë, duhet ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Foda.
Duke komentuar një deklaratë të homologut të tij te Rumania për Edon Zhegrovën, Foda vlerësoi formën e lojtarit, i cili po tregon cilësi të shkëlqyeshme me skuadrën e tij te Lille, por theksoi se për të pasur sukses kundër Rumanisë, Kosova duhet të veprojë si një skuadër e bashkuar në mbrojtje dhe në sulm.
Mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, theksoi rëndësinë e kontrollimit të lojës në mesfushë dhe angazhimin e të gjithë ekipit për të fituar.
“Stërvitjet kanë shkuar shumë mirë këtë javë. Besoj se jemi gati, e dimë se ]farë atmosfere na pret, por ne jemi futbollistë profesionistë të gjithë, jemi të përgatitur 100 përqind për ndeshjen kundër Rumanisë. Na duhet që ta kontrollojmë lojën në mesfushë, por duhet të gjithë të luftojmë së bashku, pasi kemi ekip shumë cilësor në ofensivë. Do të luajmë të bashkuar në mënyrë që ta dominojmë lojën”, tha Rexhbeçaj, duke premtuar se do të japë maksimumin për fitoren e Kosovës.
Në Grupin C2 të Ligës së Kombeve, Rumania kryeson me 12 pikë, ndërsa Kosova e ndjek me 9 pikë. Për të fituar grupin dhe për të avancuar në Ligën B, Kosovës i nevojitet një fitore më e thellë se 3:0 kundër rumunëve. Ndeshja vendimtare do të zhvillohet nesër në ora 20:45.