Afrim Tovërlani flet pas fitores në Shkup

Futboll

Afrim Tovërlani flet pas fitores në Shkup

Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 19:28
Afrim Tovërlani

Kombëtarja U21 e Kosovës ka arritur fitore me rezultat 3:1, në miqësoren e parë ndaj Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse vendasit kaluan në epërsi në minutën e 16-të me golin e Nikola Veliçkovskit, Dardanët U21 u paraqitën mirë që nga fillimi i takimit.

Përkushtimi i Kosovës bëri që ekipi të barazonte shpejt rezultatin, kur Arjanit Fazlia shënoi për 1:1, në minutën e 29-të. Në minutën e 66-të, Kosova e përmbysi plotësisht ndeshjen, duke kaluar në avantazh 2:1 me golin e Ermal Krasniqi.

Përzgjedhësi Afrim Tovërlani gjatë pjesës së dytë bëri disa zëvendësime për t’u dhënë mundësi edhe futbollistëve të tjerë, teksa në minutën e 87-të, Aurel Kuqanaj vulosi fitoren e Kosovës dhe rezultatin përfundimtar 3:1.

Tovërlani u shpreh i kënaqur me performancën e Dardanëve U21 në këtë ndeshje: “Sa i përket takimit të parë, jam i kënaqur me futbollistët.

Nuk kishte shumë rëndësi fitorja në një ndeshje miqësore, por më e rëndësishme ishte që të shihja futbollistët që luajnë në shtetet e tjera dhe t’i shihja nga afër cilësitë, kualitetet dhe disiplinën e tyre.

Jam i kënaqur me atë që kanë treguar në stërvitje dhe në ndeshjen e sotme.

Mendoj se kemi një grup të mirë, i cili mund të jetë mjaft konkurrues, por gjithmonë varet edhe se kush është pjesë e grupeve në kualifikime”, tha ai. Maqedonia dhe Kosova do të luajnë një tjetër ndeshje kontrolluese në Shkup më 17 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat