Materazzi rindez “armiqësinë” me Ibrahimoviçin

Futboll

Materazzi rindez “armiqësinë” me Ibrahimoviçin

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 11:03
Marco Materazzi dhe Zlatan Ibrahimoviç

Marco Materazzi dhe Zlatan Ibrahimoviç, “armiq” të përbetuar të fushës, por pa asnjë lloj raporti njerëzor edhe pasi i “varën këpucët në gozhdë”.

Në një moment, dyshja ndante dhomën e zhveshjes tek Interi, por do të ishte e vështirë që një gjë e tillë të ndodhte përsëri, duke pasur parasysh rivalitetin e ashpër që u zhvillua mes tyre gjatë karrierës. Mosmarrëveshja filloi në vitin 2006, por e arriti kulmin gjatë sezonit 2010-2011.

Gjatë “Derby della Madonnina”, të cilin Milani e fitoi 1-0 me golin e Zlatan, suedezi e goditi italianin me shkelm në gjoks, duke e “bërë për spital”. Ishte njëlloj goditjeje “taekwondo”, pra e qëllimshme për ta dëmtuar kundërshtarin. Sot të dy nuk do të vepronin në të njëjtën mënyrë, por ka të ngjarë të mos e shohin njëri-tjetrin sy më sy. Pra, “armiqësia” e fushës së lojës është mbartur deri në ditët e sotme.

Materazzi foli për “The Italian Football Podcast”, hyri në detaje të rivalitetit të tij me suedezin, që daton pothuajse 20 vite më parë: “Nuk kam asnjë marrëdhënie me Zlatan, por nuk është problem as për të, as për mua, sepse kemi jetët tona. Ajo që ndodh në fushë mbetet në fushë, nuk ka asnjë problem për mua.

Ai mendon se ishte lojtari më i mirë në botë, por unë nuk mendoj kështu. Po, ishte një lojtar i madh, ka shënuar shumë gola historikisht. Ai fitoi shumë tituj, ndoshta jo më të rëndësishmit, sepse dështoi në Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës, Kampionatin Evropian.

Sidoqoftë, fitoi ndoshta 20 tituj kampioni me klubet ku luajti gjithë karrierën. Ai ishte një lojtar i madh, por nuk krahasohet dot me Messin dhe Cristiano Ronaldon. Ai është Zlatan Ibrahimovic dhe në të ardhmen të gjithë do të flasin për të”.

Kohët e fundit, ish-mbrojtësi zikaltër shprehu gjithashtu shpresat e tij që Paolo Maldini të mos kthehej më te kuqezinjtë, duke synuar një “thumbim” dinake ndaj Ibrahimovic, tashmë në rolin e këshilltarit të lartë te “Djalli”, kështu që rivaliteti padyshim mbetet ende i zjarrtë.

Krahas fjalëve për Ibrahimovic, ai shprehu gjithashtu admirim për një ish-sulmues kuqezi, Marco Van Basten: “Cili ishte idhulli dhe kundërshtari im më i ashpër? Ronaldo (Fenomeni) ishte kundërshtari im më i vështirë. Marco Van Basten ishte idhulli im i fëmijërisë. E di që ai ishte lojtar i Milanit, por për mua ishte më i miri në atë kohë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat