Lufta për pozicionin e parë në Grupin C2 të Ligës së Kombeve ende nuk ka përfunduar. Rumania dhe Kosova do të përballen të premten, në orën 20:45, në Bukuresht, në një ndeshje vendimtare. Ismet Munishi, trajner i KF Dukagjinit, analizoi këtë përballje për mediumin rumun, Fanatik.
FANATIK bisedoi me Ismet Munishin para ndeshjes Rumani – Kosovë, „finalja” për vendin e parë në Grupin C2 të Ligës së Kombeve. Trajneri kosovar aktualisht është në krye të KF Dukagjinit, që renditet në vendin e 6-të në Superligën e Kosovës.
Sipas tij, lojtarët e Franco Foda-s vijnë në këtë ndeshje për të luftuar për tre pikët në Arenën Kombëtare. Munishi vuri re gjithashtu një ndryshim në lojën e Kosovës pas humbjes së thellë kundër „trikolorëve”.
“Kosova – Rumania mund të vendosë për vendin e parë në grup. Rumania ka shanse të mira për të fituar, pasi në ndeshjen e parë fituan 3-0 dhe luajtën një futboll të mirë. Kam shumë respekt për Mircea Lucescun, është një trajner i madh.
Kosova nuk do të dorëzohet, do të luftojë për 90 minuta për një rezultat të mirë. Kemi shumë lojtarë në kampionatet e mira të Evropës që janë në formë të shkëlqyer. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por Kosova do të luftojë për 90 minuta për një rezultat pozitiv.
Nuk ka favoritë në këtë ndeshje, besoj se shanset janë 50-50%. Kosova është më e mirë se në ndeshjen e parë, ku u bënë disa gabime taktike. Shpresoj që kombëtarja jonë ka mësuar nga këto gabime dhe nuk do t’i përsërisë,” deklaroi Munishi.
Munishi foli me superlativa për Mircea Lucescun dhe e vlerësoi kontributin e tij në suksesin e Rumanisë në raundin e parë të Ligës së Kombeve.
“Luajtëm në një sistem ofensiv në ndeshjen e parë dhe mendoj se kjo ishte gabimi ynë. Shpresoj që kanë mësuar nga ky gabim dhe tani do të analizojnë më mirë Rumaninë, duke bërë një lojë më të mirë taktike.
Nuk bëhet fjalë për hakmarrje, është thjesht një lojë sportive. Jemi një shtet i ri dhe do të ishte mirë të ishim në vendin e parë, edhe pse duket e pamundur. Kosova ka luajtur shumë mirë në ndeshjet e tjera, kështu që do të kemi shanset tona kundër Rumanisë. Rrahmani, Muriqi dhe Zhegrova janë në formë shumë të mirë, por Rumania ka cilësi si ekip. Ata kanë një trajner të madh që ka analizuar shumë mirë kundërshtarin në ndeshjen e parë. Ai sukses ishte 95% falë Mircea Lucescu-t,” theksoi trajneri.
Munishi komentoi mbi tensionet midis tifozëve pas incidenteve në ndeshjet e mëparshme.
“Për tifozët, kjo është një ndeshje speciale, është krijuar një rivalitet për shkak të pankartës së shfaqur nga tifozët e Rumanisë. Nuk ishte fair-play nga ana e tyre.
Në ndeshjen e dytë në Kosovë, tifozët ishin të zhurmshëm gjatë himnit të Rumanisë, dhe kjo gjithashtu nuk është mirë. Duhet të promovojmë fair-play-n.
Futbolli kosovar ka respekt për Rumaninë, për lojtarët dhe trajnerët e mëdhenj që ka dhënë ky vend. I shpreh respektin tim Gică Hagi-t, Maradonës së Ballkanit, Mircea Lucescu-t, Gică Popescu-t dhe të gjithë lojtarëve të mëdhenj që ka dhënë Rumania.
Mendoj se problemi më i madh deri tani ka qenë trajneri, sepse nuk ka arritur të nxjerrë 100% nga lojtarët dhe nuk ka krijuar një atmosferë të mirë në ekip. Kemi lojtarë të mirë individualisht, por në vitet e fundit nuk kemi arritur të ndërtojmë një ekip të mirë. Foda është një trajner i mirë, dhe tani gjithçka duket më mirë. Lojtarët tregojnë më shumë përgjegjësi në fushë dhe ka disiplinë te kombëtarja,” përfundoi Munishi.