Kampionati futbollistik në Ligën komunale të Likovës në Maqedoni vijon në fundjavë me ndeshjet e javës së pestë, ose të fundit për sezonin vjeshtor.
Në katër xhirot e para është KF Mateçi që mbanë kryesimin me pikë maksimale (12) nga katër ndeshje, tre më shumë se KF Hotla.
Mateçi edhe me barazim ndaj Vllaznimit shpallet kampion vjeshtor.
Me katër fitore ekipi i drejtuar nga Rinor Iseni po mahnit jo vetëm futbolldashësit në komunën e Likovës, por edhe mërgimtarët e tyre që po i mbështesin në forma të ndryshme.
Me një lojë të mirë dhe kompakte, KF Mateçi ia ka dal të rezistojë ndeshje pas ndeshje, dhe tani është e vetme në krye të tabelës me 12 pikë.
Këtë edicion Mateçi e nisi kampionatin me fitore të thellë në Opajë kundër KF Opaja me rezultat 1-4, ndërsa më pas mori edhe tre fitore radhazi ndaj Vaksincës 2-0, Likovës 3-2 dhe Hotlën 4-3.
Mbetet për t’u parë ndeshja e fundit e këtij sezoni për Mateçin, teksa pas dy ditësh do të përballet në derbin lokal ndaj Vllaznimit nga Orizarja në stadiumin e fshatit Opajë, të dielën me fillim prej orës 13:30 minuta.
Dhe, nëse ia dalin që ta mposhtin edhe Vllaznimin, atëherë Mateçi mund të jetë emblema e këtij gjysmësezoni në futbollin e komunës së Likovës.