KF Shkëndija e Tetovës shpreh indinjatën për kategorizimin e padrejtë të sporteve nga Ministria e Sportit!

Futboll

KF Shkëndija e Tetovës shpreh indinjatën për kategorizimin e padrejtë të sporteve nga Ministria e Sportit!

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 16:51
KF Shkëndija e Tetovës

KF Shkëndija e Tetovës shpreh indinjatën për kategorizimin e padrejtë të sporteve nga Ministria e Sportit dhe uljen drastike për 70% të mbështetjes për futbollin në Maqedoni. 

"KF Shkëndija e Tetovës shpreh indinjatën e thellë dhe shqetësimin për vendimin e Ministrisë së Sportit lidhur me kategorizimin e sporteve në ndarjen e mbështetjes financiare (vauçerëve), duke e renditur futbollin si sporti i katërt në vend dhe duke shkurtuar mjetet financiare për këtë sport me 70%.

Ky vendim paraqet një goditje të rëndë dhe të papranueshme për futbollin, sportin me investimet më të mëdha në vend dhe që, edhe më parë, nuk ka pasur mbështetjen e duhur financiare dhe institucionale.

Vendimi për uljen drastike të futbollit në këtë nivel për ne si klub paraqet një skandal të vërtetë dhe një atak të drejtpërdrejtë ndaj klubeve të futbollit në tërësi. Megjithëse e kuptojmë që ministri i sportit vjen nga sporti i hendbollit dhe mund të ketë simpati për këtë sport apo për sporte të tjera, nuk mund të justifikohet kjo padrejtësi ndaj futbollit, sportit më të popullarizuar dhe me ndikimin më të madh social në vend.

Futbolli, përveç që bart barrën e investimeve më të mëdha nga klubet dhe kontribuon në mënyrë të ndjeshme në ekonominë kombëtare, përballet me një sërë sfidash si:

• Probleme të vazhdueshme me infrastrukturën;

• Mungesa e implementimit të sistemit VAR;

• Tani edhe ky vendim që thellon padrejtësitë ndaj këtij sporti dhe industrisë së tij, duke ulur mbështetjen financiare për futbollin me një reduktion prej 70%.

Me këtë komunikatë, KF Shkëndija bën thirrje publike që vendimi i kategorizimit të rishikohet dhe futbollit t’i ndahet pjesa e merituar në përputhje me investimet, kontributin dhe taksat që klubet e futbollit i paguajnë ndaj shtetit.

Njëkohësisht, ftojmë edhe klubet e tjera të futbollit të na bashkohen në këtë protestë ndaj padrejtësive që po i bëhen futbollit dhe të reagojmë së bashku për të siguruar drejtësi dhe barazi në mbështetjen financiare.

Ftojmë organet relevante të reflektojnë mbi këtë vendim dhe të sigurojnë trajtimin e drejtë të futbollit, si sporti që mban peshën kryesore në zhvillimin e sportit dhe rinisë në vendin tonë", reagon Shkëndija.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat