Silvinjo flet hapur për gjithçka, por jo për formacionin, priten surpriza sot përballë Çekisë

Futboll

Silvinjo flet hapur për gjithçka, por jo për formacionin, priten surpriza sot përballë Çekisë

Më: 16 nëntor 2024 Në ora: 08:20
Trajneri Silvinjo

Trajneri Silvinjo foli dje në konferencë për shtyp, ku komentoi jo vetëm gjendjen e skuadrës së tij, por edhe pritshmëritë nga dueli me Çekinë, që është kundërshtari i radhës. “Skuadra me të cilën ndoshta kemi luajtur më shumë në këto vite, kemi fituar, barazuar e humbur me ta, ndaj nesër mund të ndodhë gjithçka. Ata janë të fortë, janë fizikisht të fortë, e kemi thënë prej kohësh. Trajneri i tyre, është shumë inteligjent, ka bërë 3-4 ndryshime, është ekip ndryshe, luan me 4. Ka Shulc, është Çeri i cili i jep ekuilibër skuadrës, Hoslek, Çerni, Provod, shumë të fortë e fizik. Ne duhet të bëjmë mirë lojën tonë, kemi cilësi teknike e organizim taktik.

Por duhet të shkojmë në fushë me shumë zemër dhe shpirt, kjo mund të bëjë diferencën. Mbase 90 minutat që do luajmë mund të bëjmë një nga ndeshjet më të mirë të vitit të fundit, nuk është momenti për t’u ankuar, lojtarët janë në gjendje për 100%. E kam thënë pas Europianit është periudhë e vështirë, kombëtaret kanë humbur lojtarë prej dëmtimeve, dhe Çekia ka lojtarë të dëmtuar. Lojtarët nuk kanë pasur pushimet për t’u rikuperuar, unë jam i lumtur dhe kam besim te ato lojtarë që kam. Ne do futemi për të dhënë 100% tonë. Nuk ka frikë nga kundërshtarit apo ndeshja, hyjmë në fushë për 100%”, theksoi tekniku brazilian.

Sulmi

Silvinjo pranoi se sulmi ka specifikën e vet në këtë ndeshje, por u ndal më shumë ek Uzuni, të cilin e cilësoi në formë dhe shumë të mirë, por që bënte më shumë rolin si sulmues i dytë. “Ne kemi dhe një stërvitje pas pak, duhet të shohim 2-3 lojtarë që kanë pasur probleme të vogla fizike. Uzuni nuk ka probleme. Uzuni nuk është tipik 9, është më shumë i dytë, por arrin të shënojë kur gjen hapësirë. Kemi dy tre mundësi që mund t’i përdorim dhe nesër do të marrim vendim për formacionin me të cilin do të nisim.

Uzuni bën më shumë rolin e sulmuesit të dytë. Kam mësuar në lidhje me cilësitë si Uzuni, i shpejtë, që rri pas sulmuesit të parë dhe që krijon hapësira për të shënuar. Ekziston mundësia për ta shfrytëzuar karakteristika e lojtarit në këtë aspekt. Ju kujtoj se e ka nisur si sulmues anësor dhe më pas duke depërtuar më tepër brenda. Ka fizik shumë të mirë, por ngelet për t’u vlerësuar çfarë do zgjedhim nesër”, shtoi Silvinjo.

Qëndrimi për momentet e vështira

Trajneri brazilian i Kombëtares foli edhe për natyrën e ndeshjeve të tilla dhe se si lojtarët duhet të silleshin kur gjendeshin në moment të vështirë. “Mua më duket se janë ndeshje që vlerësohen detajet. Duhet kujdes në çdo moment për të bërë një ndeshje të bukur, një nivel përqendrimi të lartë, kërkon anën fizike, taktike, por të kërkon më shumë në nivel përqendrimi, duhet të bësh gjithçka me sytë hapur. Kemi luajtur 3 ndeshje me ta, praktikisht një derbi, por nuk ka lidhje, nesër është ndryshe.

Do të shkojmë fort në fushë dhe provojmë gjithçka, 100%. Zakonisht ndodh kur pëson gol, me të gjitha skuadrat, 4-5 minutat e para ai “black-out”. Këtu bën diferencën eksperienca dhe fusha, e rëndësishme pasi pëson gol të qetësohesh dhe pastaj të rinisësh lojën. Kam qenë lojtar i trajnerëve të rëndësishëm, e kam kuptuar që kanë të drejtë trajnerët sepse krijohet ideja që duhet të rikthehesh fushën, kemi vuajtur gjatë Europianit”, përfundoi Silvinjo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat