Në stërvitjen e fundit të Kombëtars shqiptare në “Air Albania”, stafi dhe lojtarët janë surprizuar për disa minuta. Për të përshëndetur ekipin kishin menduar Klaus Gjasula dhe Bekim Balaj.
Mesfushori u tërhoq nga Kombëtarja pas aventurës në Euro 2024, ndërsa sulmuesi vetëm pak ditë më parë bëri të ditur vendimin për t’u pensionuar nga kuqezinjtë. Të dy ish-futbollistët kuqezi kanë folur para duelit me Çekinë, ndërsa njëzëri theksojne se do të jetë emocionuese.
“Një moment shumë i madh për mua dhe shumë i vështirë. Do të jetë edhe shumë i bukur se kjo është hera e fundit në fushën e ‘Air Albania’ me tifozët tonë, me tifozët më të mirë në botë. Do të jetë një kënaqësi e madhe t’iu them të gjithëve faleminderit dhe mirupafshim. Shpresoj dhe uroj të luftojnë së bashku në të ardhmen për Kombëtaren tonë”,është shprehur Gjasula.
Ndërkohë mjaft i emocionuar është shfaqur edhe Balaj, me sulmuesin që ka deklaruar: “Gjatë 10 viteve në Kombëtare kam patur fatin të përjetoj shumë emocione të bukura, të mrekullueshme që vetëm fanella e ekipit kombëtar t’i jep. Nesër do të jetë përshëndetja më e mrekullueshme me tifozët që na kanë mbështur për gjithë këto vite. Ju presim në stadium”.
Kujtojmë se FSHF-ja mbrëmjen e sotme ka organizuar një ceremoni falenderuese për ish-shët kuqezi, ku përveç Gjasulës e Balajt do të jenë pjesë edhe Ermir Lenjani dhe Odise Roshi.