Ndërkohë që në Air Albania po zhvillohet këtë të shtunë përballja Shqipëri- Çeki në “Review” në Euronews Albania është diskutuar edhe incidenti i ndodhur në ndeshjen Rumani-Kosovë ku futbollistët e Kosovës u detyruan të lënë stadiumin pas thirrjeve raciste dhe ofenduese kundrejt tyre.
I ftuar në studion e Euronews, trajneri Artan Mërgjyshi e ka cilësuar këtë një veprim dinjitoz pasi Kosova si një shtet i pavarur i njohur nga UEFA ka dinjitetin dhe të drejtat e veta që duhen respektuar.
“Për mua është veprim dinjitoz edhe vërshëllimi në stadium. Dinjitoz sepse këto janë vende pro-sllave, Rumania, Çekia, Sllovakia, Ukraina po ashtu dhe dihet lidhja e tyre me Serbinë, ndaj vlen për tu bërë të ditur atyre se Kosova është një shtet i pavarur.
Kosova është shtet që njihet nga UEFA ka dinjitetin dhe të drejtat e veta. Parimi i parë i UEFA është fair play dhe lufta kundër racizmit”,-tha Mërgjyshi.