​Gjyqtarët në sy të kritikave, kërkohet formimi i shoqatës për mbrojtjen e tyre

Futboll

​Gjyqtarët në sy të kritikave, kërkohet formimi i shoqatës për mbrojtjen e tyre

Më: 17 nëntor 2024 Në ora: 11:37
Ilustrim

Kritikat e ashpra të drejtuesve të klubeve dhe trajnerëve po konsiderohen të panevojshme dhe të tepruara. Megjithëse gjyqtarët kosovarë në shumë raste marrin besimin e UEFA-s për të ndarë drejtësinë në ndeshje ndërkombëtare, në Kosovë ata janë në syrin e kritikave për shkak të vendimeve të tyre në ndeshjet e futbollit.

Ish-gjyqtari Shyqri Gashi, thotë se në Kosovë gjyqtarët nuk janë të mbrojtur ashtu siç duhet, pasi çdo klub dëshiron me “çdo kusht” fitoren.

Gashi: Kemi gjyqtarë të nivelit evropianë në Superligë

Dukuritë janë që secili klub, secili menaxher e trajner ka dëshirë të fitojë dhe tani gjënë më të vogël që e bënë gjyqtari, të gjithë shkojnë (ankohen) te gjyqtari ...Kështu që gjyqtarët në përgjithësi nuk janë shumë të mbrojtur sa është dashur të jenë. Ne kemi për momentin arbitra shumë të mirë në Superligën e Kosovës. Aty janë vërejtur edhe referimet e tyre që kanë dalë edhe në Evropë, kështu që nuk ka vërejtje nga lart, por gjithnjë ka vërejtje te klubet tona, të cilat gjithnjë dëshirojnë të fitojnë me çdo kusht ndeshjen, nuk pranojnë kurrsesi humbjen”, thotë Gashi.

Nga ana tjetër, eksperti i arbitrimit, Hajriz Hajdari bën thirrje që të krijohet Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës, e cila do të mbronte gjyqtarët në raste të tilla. Madje, ai thotë se krijimi i kësaj shoqate është e paraparë edhe me rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s.

Hajrizi: Duhet të krijohet shoqata për mbrojtjen e gjyqtarëve

“Shoqata duhet të ekzistojë, sepse më herët ka ekzistuar shoqata. Kur kam qenë gjyqtar i futbollit kemi pasur shoqatën...Shoqata është hequr për disa telashe atëherë, por ajo nevojitet sepse e kemi edhe udhëzimin e UEFA-s dhe FIFA-së. Nëse UEFA dhe FIFA e kuptojnë që nuk kemi shoqatë, ata na eliminojnë edhe nga kjo organizatë, sepse faktikisht duke të ketë shoqatë si çdo kund në botë sepse duhet të caktohen njerëzit që e duan gjyqtarët e mos t’i përfaqësojë një njeri gjyqtarët pa dëshirën e tyre”, tha Hajdari.

Hajdari tregon se Shoqata e Gjyqtarëve ishte shuar në kohën e kryetarit të FFK-së Fadil Vokrri për shkak të ndërhyrjeve dhe konflikteve për delegimin e gjyqtarëve për ndeshjet që do të zhvilloheshin.

Hajdari: Është mjerim që gjyqtarët nuk e kanë shoqatën e tyre

“Kemi pasur probleme me shoqatë, ka pasur ndërhyrje dhe në momentin që bëhen ndërhyrje nga lartë, shkelet e drejta e votës së gjyqtarëve ose e personave zyrtarë, sepse aty hyjnë edhe vëzhguesit e ndeshjeve në ato regjione për t’i zgjedhur organet e veta. Aty ka pasur konflikte dhe probleme dhe aty është hequr, do të thotë në momentin kur ka qenë edhe kryetari Fadil Vokrri ka qenë dhe i ka hequr për një kohë të caktuar derisa të ulen dhe të gjejnë një formë dhe sot e asaj dite kemi mbetur pa shoqatë. Faktikisht, kanë shoqatë trajnerët, kanë shoqatë klubet, vetëm gjyqtarët nuk kanë shoqatë që është për mjerim”, tha Hajdari.

Ndryshe, pakënaqësitë e trajnerëve dhe drejtuesve të klubit ndaj gjyqtarëve kanë nisur edhe për shkak të vendimit të Federatës së Futbollit të Kosovës që caktimi i tyre për ndeshjet e Superligës së Kosovës të bëhet përmes shortit, e jo përmes delegimit siç ishte praktikuar deri një vit më parë.

KosovaPress ka kërkuar përgjigje për këtë çështje edhe nga kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve në Federatën e Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani por ai nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat