Manchester City po bëhen gjithnjë e më të sigurt se Erling Haaland do të nënshkruajë një kontratë të re të përmirësuar ndjeshëm.
Bisedimet janë në vazhdim me sulmuesin e jashtëzakonshëm norvegjez, 24 vjeç, për një kontratë të zgjeruar me një pagë bazë prej afër 600 mijë euro në javë.
Kjo pagë do ta bënte Haaland lojtarin më të paguar në Premier League, duke e tejkaluar lehtësisht shifrën prej 478 mijë të bashkëlojtarit të tij te City, Kevin De Bruyne.
Gjithashtu, kjo kontratë do ta rendiste atë ndër lojtarët me pagat më të larta individuale në Evropë. Aktualisht, mesfushori holandez i Barcelonës, Frenkie de Jong, që përfiton 718 mijë euro në javë, kryeson këtë listë të pasur.
Ish-lojtari i Borussia Dortmund ka ende dy vite e gjysmë në kontratën prej 450 mijë euro në javë që nënshkroi kur u transferua në korrik 2022. Kushtet e reja do ta mbanin atë në Etihad deri në fund të sezonit 2028-2029.
Një çështje që mbetet për t’u zgjidhur është klauzola e lirimit prej 180 milionë euro në kontratën aktuale të Haaland. City dëshiron që kjo klauzolë të hiqet, por përfaqësuesit e Haaland këmbëngulin që ajo të mbetet. Një zgjidhje e mundshme është që të dyja palët të bien dakord për ta rritur këtë klauzolë transferimi në 240 milionë euro, duke reflektuar më mirë vlerën e tij të tregut.
Haaland konsiderohet si sulmuesi më i mirë në botë për momentin, teksa vazhdon të thyejë rekorde me ekipin e Pep Guardiolës. Me 105 gola në 113 paraqitje për City – 75 prej tyre në 77 ndeshje të Premier League – ai ka dëshmuar formën e tij të jashtëzakonshme.
Gjatë negociatave të fundit në Norvegji me familjen e Haaland dhe agjenten braziliane Rafaela Pimenta, drejtuesit e City kanë marrë një përgjigje pozitive për ofertën e re. Përveç rritjes së ndjeshme të pagës, kontrata përfshin edhe dy vite shtesë.