Kryetari i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv (KAS) të Komitetit Olimpik të Kosovës, Eroll Salihu, ka komentuar ngjarjet e ndeshjes të së premtes mes Rumanisë dhe Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve në futboll.
Salihu ka thënë se është episodi i dytë i ngjashëm që ndodh në Rumani, pas atij të vitit të kaluar.
“Jam i bindur se Federata në Bukuresht s’ka dashur asnjëherë të ndodhë diçka e tillë. Por, arbitri duhej të ndërhynte më fortë.
T’i thërriste delegatët, t’u tregonte se çfarë po ndodh, të thuhej fillim dhe mundësisht një ndërprerje e lojës për 15 minuta.
Ose organizatës të merrnin masa për zbrazjen e plotë të sektorit problematik në tribuna. Ndoshta kështu gjërat mund të kishim përfunduar ndryshe”, ka thënë Salihu.
Sipas tij, është e tepërt që lojtarët të dëgjojnë çdo ditë të njëjtat gjëra se ‘Kosova është Serb’.
“Po e përsërisë, mungesa e përvojës së arbitrit bëri që ai mos t’i përballonte me qetësi të gjitha ngjarjet, nga të dyja palët.
Dhe unë do t’ju them diçka tjetër! Tifozët rumunë sot kanë probleme me Kosovën, nesër mund të shfaqen me Rusinë, Ukrainën. Përfaqësuesja do të pësojë!”, ka theksuar Salihu për mediumin rumun GSP.
Sipas tij, Federata e Rumanisë duhet të jetë e kujdesshme se si i menaxhon gjërat në tribuna. Ai ka thënë se minutat e fundit të ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës kanë mundur të trajtoheshin më me inteligjencë.
Salihu ka hedhur poshtë spekulimet se ishte përgatitur skenar nga lojtarët e Kosovës.
“Nuk e besoj. I njoh mirë lojtarët. Por kur të dëgjoni në përgjithësi se ‘Kosova është Serbi, ju lutem ejani në vendin tonë për të parë nëse, me të vërtetë, ‘Kosova është Serbi’. Ne kemi prova të mjaftueshme për t’ju treguar të vërtetën”, ka thënë ai.
Ai është pyetur nëse sheh ndonjë vendim tjetër të mundshëm nga UEFA pos një fitore 3:0 të Rumanisë me rezultat zyrtar. Ai ka thënë se “Jo”.
Ndeshja u ndërpre në minutat shtesë, pasi lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha shkaku i fyerjeve, thirrjeve “Kosova është Serbi” dhe hedhjeve të gjësendeve në fushë nga ana e tifozëve rumunë. Rezultati ishte 0:0 në momentin e ndërprerjes së ndeshjes.