Premier Liga mund të zbresë në kaos këtë sezon për shkak të numrit në rritje të dëmtimeve të yjeve të saj. Ky është paralajmërimi nga shefi i Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë, Maheta Molango, i cili është i alarmuar nga lista e shtuar e lëndimeve në elitën e kampionatit anglez.
232 ndeshje të Premier Ligës janë humbur nga lojtarët e klubeve angleze në Europë, ndërsa “Tre Luanët” humbën nëntë lojtarë për ndeshjet e kësaj jave në Ligën e Kombeve me Greqinë dhe Irlandën. Molango tha: “Lojtarët kanë folur për një kohë të gjatë për ndikimin e kalendarit të futbollit dhe tifozët mund ta shohin vetë kur shikojnë numrin e lojtarëve të dëmtuar. Askush nuk duhet të dëshirojë që në kompeticionet e mëdha të përfundojnë vetëm me idenë se cili mund t’i nxjerrë lojtarët e tij në fushë”.
Lista e gjatë në infermierinë e Anglisë i ka shtuar shqetësimet se ngarkesa për yjet kryesorë po përkeqësohet dhe gjendja fizike mund të jetë vendimtare në garën për titull. Trajneri i përkohshëm, Li Karslej, është pa dyshen e Arsenalit, Deklan Rajs dhe Bukajo Saka dhe të Mançester Sitit, Fill Foden dhe Xhek Grilish. Kol Palmer dhe Levi Koluill i Çelsit, mbrojtësi i krahut të Liverpulit, Trent Aleksander-Arnold dhe portieri i Sauthemptonit, Aron Ramsdejl të gjithë u tërhoqën nga grumbullimi.
Xhon Stons, Herri Meguajër, Kobi Meino, Ljuk Shou dhe Ebereçi Eze u larguan më herët për shkak të dëmtimeve. Dhe kjo është vetëm përpara pasojave të pushimit të fundit ndërkombëtar të këtij viti, dy raundeve të tjera të ndeshjeve të kupave të Europës, çerekfinaleve të Kupës Karabao dhe një programi të ngjeshur të Premier Ligës. Dhe me një kalendar të tillë, do të kemi 13 ndeshje në shtatë javë për lojtarët deri më 1 janar.
Trajneri i Sitit, Pep Guardiola, e ka parë Rodrin që të humbasë sezonin pas dëmtimit të rëndë në gju. Ai nuk e ka parë Oskar Bobin gjatë gjithë sezonit dhe ka folur për shqetësimet e tij për Grilish, Kevin De Bryjne, Natan Ake dhe Foden.
Katalanasi ka thënë se shpresat e skuadrës së tij për titull janë nën kërcënim nga dëmtimet. Dhe Siti, së bashku me Çelsin, do të luajnë në Kupën e Botës për Klube verën e ardhshme. Por Siti, lojtarët e të cilëve kanë humbur 42 ndeshje mes tyre në Premier Ligë këtë sezon, nuk është i vetmi i panikosur nga gjendja fizike e lojtarëve.
Në të gjithë Mançesterin, ankesat para shkarkimit të Erik ten Hagut ishin nga më të fortat, me lojtarët e “Djajve” që kanë humbur 57 ndeshje deri më tani. Mungesa mesatare e një lojtari të Premier Ligës është gati dyfishuar, nga 15 ditë në 4 javë, që prej nisjes së sezonit 2020-21.