Ikona e Hungarisë del nga spitali

Futboll

Ikona e Hungarisë del nga spitali

Më: 17 nëntor 2024 Në ora: 20:15
Pamje

Ndeshja mes Holandës dhe Hungarisë në Ligën e Kombeve këtë të shtunë bëri që të kalonte në plan të dytë futbolli pas asaj që i ndodhi Adam Szalait që në minutat e parë. Ish-sulmuesi legjendar i Hungarisë, tashmë zëvendëstrajner i përfaqësueses, pësoi një infarkt në pankinë duke bërë që për disa momente të mendohej më e keqja.

Ndërhyrja e shpejtë e mjekëve të cilët i bënë një masazh kardiak që e ktheu përsëri në jetë, solli edhe përmirësimin e situatës së Szalait, i cili u dërgua në spital për vizita të mëtejshme. Gjatë natës ai vetë postoi në rrjetet sociale një mesazh për të qetësuar tifozët, ndërsa është zbuluar se gjendja e tij tashmë është normalizuar plotësisht.

Mediat hungareze kanë bërë të ditur se jo vetëm Szalai është lejuar që të largohet nga spitali për të shkuar në hotelin e përfaqësueses, por edhe të udhëtojë me të drejt Hungarisë ku ajo luan të martën ndeshjen e radhës.

Megjithatë, kjo është bërë e mundur vetëm falë faktit se stafi i Hungarisë ka garantuar një monitorim të vazhdueshëm të ish-sulmuesit, i cili pritet t’i nënshtrohet testeve më të hollësishme në vendlindje për të shmangur ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat