Ndeshjet e të martës do të përcaktojnë se në cilin pozicion do të jetë Shqipëria në Grupin B1 të këtij turneu dhe në cilën Ligë mund të jetë në edicionin e ardhshëm, që është shumë më i rëndësishëm pasi shtohen shanset që nga ky turne të shkohet në Euro 2028.
Ekspertët e statistikave të “Football Meets Data”, kanë simuluar në kompjuter rezultatet e dy ndeshjeve të fundit, Shqipëri-Ukrainë dhe Çeki-Gjeorgji, duke dalë në konkluzionin që dy opsionet më të mundshme për kuqezinjtë në renditjen përfundimtare janë vendi i dytë dhe vendi i fundit në grup.
Sipas tyre, Shqipëria ka 40% mundësi që të dalë në vendin e dytë në grup sipas algoritmit kompjuterik me të cilën simulohen ndeshjet. Ndërkohë, jo shumë larg, me 37%, është mundësia që Shqipëria ta mbyllë në vendin fundit grupin B1.
Opsioni i vendit të tretë në grup ka 14% mundësi që të realizohet, ndërsa vendi i parë, është vetëm 9% sipas algoritmit të tyre.
Ashtu siç e parashikon rregullorja, vendi i parë çon në Ligën A, vendi i dytë çon në play-off me një nga skuadrat e renditura të tretat në Ligën A, vendi i tretë në play-off me një nga skuadrat e renditura të dytat në Ligën C dhe vendi i katërt të rrëzon direkt në Ligën C.