UEFA pritet të marrë vendim për Kosovën, rumunët në ankth fajësojnë dardanët

Futboll

UEFA pritet të marrë vendim për Kosovën, rumunët në ankth fajësojnë dardanët

Më: 18 nëntor 2024 Në ora: 07:56
Foto ilustrim

UEFA do të marrë vendim brenda këtyre ditëve për ndeshjen e ndërprerë Rumani-Kosovë, ku siç dihet se kombëtarja jonë braktisi ndeshjen për shkak të thirrjeve raciste dhe provokuese të tifozerisë rumune.

UEFA pritret ta ndëshkojëKosovën, por rasti duket se ka shqetësuar më shumë Rumaninë, e cila kishte marrë paralajmërime për këtë rast dhe nuk i ka përmbushur detyrimet për të organizuar një ndeshje ku të mos kishte thirrjet “Serbi, Serbi”, apo “Kosova is Serbia” etj, thirrje që erdhën si fyerje ndaj lojtarëve të Kosovës e simboleve të tyre.

Sipas ekspertëve, referuar edhe rregulloreve, Kosova pritet të humbë ndeshjen në tavolinë dhe të gjobitet, kurse rumunët do të gjobiten rëndë dhe do të pezullohen të mos luajnë në fushën e tyre për shumë ndeshje, për shkak se e kanë rast të përsëritur sjelljen e tifozëve. Por kjo çështje mund të shkojë deri në gjykatën sportive të Lozanës, pasi thirrjet kundër Kosovës në stadiumet e skuadrave rivale po bëhen shqetësim për “fair-play”-n në futbollin kontinental.

Luçesku vijon të “vjellë vrer” ndaj Kosovës

Trajneri i Rumanisë, Mircea Luçesku, ka akuzuar futbollistët e Kosovës për mungesë të “fair-playt”. Ndeshja e së premtes mbrëma mes Rumanisë dhe Kosovës u ndërpre në minutat shtesë, pasi lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës u tërhoqën nga fusha pas fyerjeve, thirrjeve “Kosova është Serbi” dhe hedhjes së gjësendeve nga tifozët rumunë.

“Nëse nuk fitojmë 3:0, do të thotë se nuk ka më rregullore. Gjithsesi u shkel ajo, sepse vazhdoi kaq gjatë. Duhej të merrej menjëherë vendimi, por s’kishin guxim ta bënin. Ne ishim të gatshëm të qëndronin deri në mëngjes. Gjithsesi u ktheva në shtëpi në 4.

Një ekip që largohet nga fusha duhet të humbasë 0:3. Unë i respektoj lojtarët e tyre, shtrëngova duart, më erdhi Muriqi, por sjellja e tyre…”, ka thënë Luçesku në konferencë për media të dielën, raporton “GSP.ro”. Lucescu ka pranuar se Kosova ka luajtur më mirë në ndeshjen e të premtes, ai thotë se ishin të përgatitur se mund të ndodhte një largim i tillë nga fusha. “E dinim më parë se do të largoheshin nga fusha, e kishin thënë në konferencë. Publiku u soll për mrekulli. As që mund të krahasohet me atë që ishte në Prishtinë. Na hodhën sende, fishkëllenin himnin tonë…Ata shpresonin se do të dilnin nga fusha dhe do të fitonin 3:0, mungesë e tmerrshme e ‘fair-playt’”, ka thënë Luçesku.

Kosova mbyll stërvitjen para duelit me Lituaninë

Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar dje stërvitjen e saj zyrtare në prag të ndeshjes së fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve.

Ndeshja do të zhvillohet sot në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Atmosfera mes lojtarëve duket tejet pozitive dhe motivimi për ta mbyllur këtë vit me një fitore përpara tifozëve dardanë është maksimal. Në këtë sfidë, përzgjedhësi Francko Foda nuk do të mund të llogarisë në dy lojtarë të rëndësishëm të repartit të mbrojtjes, kapitenin Amir Rrahmani dhe Lumbardh Dellovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat