UEFA e ka refuzuar kërkesën e parë të Rumanisë, të cilën e kishte bërë menjëherë pas ndërprerjes së ndeshjes me Kosovën.
Federata Rumune e Futbollit ia ka bërë një kërkesë të veçantë shtëpisë së futbollit evropian, pas duelit me Dardanët.
Rumunët kërkuan nga UEFA që ta anulojë kartonin e verdhë të marrë nga Dennis Man, i cili u ndëshkua në minutën e 58-të të premten mbrëma, shkruajnë mediat rumune.
Por, institucioni më i lartë i futbollit evropian e refuzoi kërkesën e rumunëve, përkundër faktit se nuk është vendosur ende fati i ndeshjes së ndërprerë me Kosovën.
Kështu, futbollisti Dennis Man do të mungojë në ndeshjen e sontme ndaj Qipros, e fundit për Rumaninë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Lojtari i Parmës u zëvendësua pak minuta para ndërprerjes së ojës dhe Federata Rumune shpresonte që kartoni të mund t’i fshihej nëse Rumania do ta fitonte ndeshjen me rezultat zyrtar, pasi kjo do të nënkuptonte anulimin e të gjitha rasteve dhe vendimeve që kanë ndodhur gjatë lojës.
Sidoqoftë, UEFA mendoi ndryshe dhe Man nuk do të jetë sonte në dispozicion të trajnerit Mircea Lucescu.
Rumania është e para në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve me 12 pikë, prej tyre 4 fitore, kurse Kosova është e dyta me 9 pikë, me 3 fitore e 1 humbje, pikërisht nga rumunët në lojën e parë.
E për fatin e ndeshjes së luajtur të premten, e cila u ndërpre në minutat shtesë pas largimit nga fusha të Kombëtares së Kosovës shkaku i thirrjeve raciste, do të marrë vendim shumë shpejt UEFA.