Kreshnik Çipi, i ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Max Sport” në “Euronews Albania”, ka komentuar ndeshjen që Kombëtarja shqiptare zhvilloi kundër Çekisë në stadiumin “Air Albania”.
Çipi ka shprehur kritika ndaj zgjedhjeve taktike të trajnerit Silvinjo, veçanërisht për vendimin për të futur në fushë Taulant Seferin pas dëmtimit të Jasir Asanit.
Sipas Çipit, Seferi është një lojtar që kryen më shumë detyra mbrojtëse në krah, duke mos e ndihmuar ekipin për të shtuar ritmin në fazën sulmuese. Ai theksoi se me futjen e Seferit, Silvinjo dukej sikur po kërkonte më shumë një rezultat të barabartë sesa një fitore.
“Me hyrjen e Taulant Seferit, duket sikur trajneri ynë kërkonte më tepër barazimin. E vërteta është që Taulant Seferi shpesh kthehet me shpinë nga kundërshtari dhe me fytyrë nga porta jonë. Po ta vësh re, numrin më të madh të topave që merr, ai shkon drejt portës sonë në një kohë që duhet të shkojë drejt portës së kundërshtarit. Ndoshta duhej të futej Hoxha në vend të Seferit,” tha Çipi, duke sugjeruar një alternativë më sulmuese për ndeshjen.