Sulmuesi Kosovës, Vedat Muriqi ka folur për fitoren ndaj Lituanisë.
Dardanët mundën Lituaninë (1:0), të hënën mbrëma në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve.
Ai e ka lavdëruar autorin e golit Muharrem Jasharin.
Sipas Muriqit, kombëtares sonë i ka munguar një lojtar si Jashari.
“Muharremi ka qenë edhe në grumbullimin e kaluar, ku nuk kam qenë.
Për mua ka qenë surprizë dhe mendova se ku ka qenë ky lojtar më herët. I ka munguar Kosovës një lojtar si ai, sepse as nuk ka qenë në pozitën e tij dhe në Rumani krijoi disa aksione. Po më vjen mirë që Kosova ka një gjeneratë të re”, tha ai.
Muriqi mendon se Kosova ka një grup të shkëlqyer të lojtarëve.
“Kemi një grup të shkëlqyer që kalojmë kohë së bashku, besoj që me Rumaninë e kemi treguar, ku vendosëm si grup.
Në shtatë vite, ka qenë ndeshja më e mirë në çdo aspekt që kemi bërë me Rumaninë.
Iu thashë lojtarëve të mos e ulim ritmin, e nisëm mirë me golin e Mulit por pastaj kartoni i kuq, na bëri të kthehemi në mbrojtje.
Tani do ta presim shortin dhe të shohim se me kë do të përballemi, sepse kundërshtarët janë më të fortë me gjithë respektin”, ka përfunduar Muriqi.