Gerard Pique konfirmon se kishte marrë ofertë nga Juventusi kur ishte lojtar i ri te Manchester United, madje ishte tunduar, por e nënvizon më forcë se “ëndra ime ishte të luaja për Barcelonën”. 37-vjeçari ishte në Itali për një event, në prezantimin e “Kings League”, dhe foli me gazetarët e “Sky Sport Italia”.
Gazetarët e pyetën për rrugëtimin e tij të karrierës, i cili filloi dhe përfundoi me fanellën Blaugrana. Kujtojmë se “pensionimi” nga futbolli i qendërmbrojtësit iberik ndodhi në janar 2023. Edhe pse nuk luajti kurrë në Itali, mbrojtësi ishte afruar shumë me këtë vend në një fazë të karrierës së tij.
“Po, Juventusi ishte i interesuar për mua në vitin 2007, – rrëfeu Pique. – Kjo ofertë më mbërriti në të njëjtin moment me atë të Barcelonës. U tundova nga interesimi i Juventusit dhe mund t’i isha bashkuar pa hezitim, nëse në atë moment nuk do të më kërkonte edhe klubi im i zemrës.
Pavarësisht gjithçkaje, ëndrra ime ishte të luaja për Barçën. Juventusi ishte një klub shumë i madh në atë kohë, por Barcelonën e konsideroja vetë jetën time. Kësisoji, shkova pa u menduar dy herë te Barca”.
Pique e filloi karrierën e tij në akademinë “La Masia” dhe pastaj u transferua te Manchester United më 2004, pa debutuar dot në ekipin e parë të Barcelonës.
Pati një periudhë huazimi te Real Zaragoza më 2006-2007, përpara se transferimi te Barcelona të realizohej në verën e vitit 2008. Nga ai moment dhe deri në fund të karrierës mbajti veshur vetëm fanellën e skuadrës katalanase, me të cilën bëri histori.