Kundërshtaret e mundshëm të Kosovës

Futboll

Kundërshtaret e mundshëm të Kosovës

Më: 20 nëntor 2024 Në ora: 12:36
Kosova

Mbrëmë është kompletuar faza e grupeve në Ligën e Kombeve, natyrisht me përjashtim të ndeshjes së ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës.

Nga ky edicion është përfshirë edhe faza e “play-offit”, ku sipas të gjitha gjasave do të marrë pjesë edhe Kombëtarja e Kosovës.

Dardanët do ta mbyllin Grupin 2 të Ligës C në vendin e dytë, prandaj edhe do të luajnë në këtë fazë për ta kërkuar inkuadrimin në Ligën B.

Në fazën e “play-off” do të bëjnë pjesë katër Kombëtare që përfunduan në vendin e dytë në grupet përkatëse të Ligës C dhe katër të tjera që përfunduan në vendin e tretë në grupet e tyre në Ligën B.

Shorti për “play-off” do të hidhet këtë të premte nga ora 12:00, ndërsa ndeshjet e kësaj faze do të luhen vitin tjetër, më saktësisht më 20 dhe 23 mars 2025.

Pasi Shqipëria përfundoi e katërta në grupin e saj dhe ra në Ligën C, tashmë janë zbuluar edhe emrat e katër kundërshtarëve të mundshëm të Dardanëve.

Bëhet fjalë për Gjeorgjinë, Slloveninë, Islandën dhe Irlandën, katër Kombëtare të mundshme këto për ta sfiduar ekipin e Franco Fodës.

Kosova i regjistroi 4 fitore dhe e pësoi 1 humbje në Grupin 2 të Ligës C duke i grumbulluar 12 pikë, tri më pak se liderja, Rumania.

E UEFA do të vendosë me gjasë nesër për ndeshjen e ndërprerë në Bukuresht të premten e kaluar mes Rumanisë dhe Kosovës.

Synim i Dardanëve ishte ta mbyllnin grupin në vendin e parë, por me gjasë do të përfundojnë në atë të dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat