Kombëtarja e Shqipërisë mbylli rrugëtimin e saj në Nations League, ku fatkeqësisht nga Liga B ka rënë në Ligën C. Kuqezinjtë u mposhtën nga Ukraina 2-1 në “Air Albania” dhe mbyllin vitin 2024 me humbje. Por tashmë pas sfidave të ekipit kombëtarë, vëmendja do të përqendrohet te Superiorja.
Kështu java e 14-të është parashikuar të luhet në 2 ditë. Saktësisht më 23 dhe 24 nëntor.
Duele mjaft interesante janë në program, takime që premtojnë të jenë të luftuara.
Të shtunën interesante do të jetë përballja mes Skënderbeut dhe Dinamos, takim që do të luhet në Korçë ora 17:00. Por jo më pak i rëndësishëm është dueli mes Vllaznisë dhe Teutës. Përballje kjo që do të luhet në “Loro Boriçi” në po të njëjtën orë.
Ndërkohë të dielën Egnatia do të udhëtojë në transfertë për të dueluar me Bylisin në “Adush Muça” në orën 13:30, teksa në orën 17:00 Elbasani do të presë në shtëpi Tiranën e “ringjallur” me Gugash Maganin.
Paralelisht do të luhet edhe përballja mes Partizanit dhe Laçit, takim që zhvillohet në “Arenën e Demave”.