Vllaznia iu rikthye dje stërvitjes pas dy ditësh pushim. Shkodranët nisën javën e përgatitjeve specifike për ndeshjen me Teutën dhe mungesa e vetme ishte ajo e Ardit Krymit.
Në momentin kur dukej se skuadra shkodrane do të ishte më e plotë, ka ardhur dëmtimi i mesfushorit me eksperiencë. Gjendja fizike e lojtarit që pësoi një tërheqje muskulore në miqësoren e fundit kundër malazezëve të Arsenal Tivat, e ka shqetësuar jo pak trajnerin Tomas Brdariç. Që në fillim u kuptua se dëmtimi i Krymit ishte serioz, pasi lojtari kishte vështirësi për të vendosur këmbën në tokë, teksa linte fushën.
Krymi është një titullar kyç në formacionin e Vllaznisë dhe mungesa e tij për rreth një muaj sigurisht që krijon problem për trajnerin gjerman të kuqebluve, aq më tepër që kalendari është shumë i ngjeshur në këtë fundvit dhe skuadra ka nevojë për të gjithë.
DELIU – Një lajm i mirë në këtë situatë është rikthimi i Ardit Deliut, kavajasit që mund të mbushë “gropën” e krijuar nga dëmtimi i Krymit. Lojtari që u bashkua me Vllazninë në merkaton e verës ka munguar gjatë për shkak dëmtimi. Pas dy javësh stërvitje me grupin, mesfushori ka pasur minutat e para në miqësoren ndaj Arsenal Tivat, ku u hodh në fushë në 20 minutat e fundit nga trajneri Brdariç. Deliu duket se e ka kaluar periudhën e vështirë, por mbetet për t’u parë, nëse do të jetë titullar në takimin e fundjavës me Teutën, apo do ta nisë nga stoli.
Ai mund të jetë zëvendësuesi ideal i Krymit në këtë moment, pasi të dy lojtarët kanë një stil të ngjashëm loje. Për trajneri Brdariç zbutet kështu “dhimbje e kokës” nga dëmtimi i Krymit.
Për mesfushën kuqeblutë kanë të gatshëm edhe lojtarë si Qato, Sala dhe Kahrimanoviç. Në mesfushë luan po ashtu edhe Mala, i cili më shumë është preferuar në të djathtë të sulmit. Nga Ardit Deliu pritet shumë në Shkodër, pasi është parë si një nga blerjet më të mira. Ai e nisi sezonin titullar dhe luajti në tri ndeshjet e para, por një dëmtim la jashtë fushe për shumë javë.
DËMTIMET – Deri në këtë pikë të sezonit Vllaznia ka pasur mungesa vazhdimisht për shkak të dëmtimeve. Ata që kanë munguar më gjatë janë sulmuesit Ildi Gruda dhe mesfushorët Amir Kahrimanoviç e Ardit Deliu. Që të tre janë të gatshëm tashmë për stafin teknik kuqeblu, që shpreson të mos ketë mungesa të tjera përveç Krymit në këto ndeshje të fundit të 2024-ës.