Mkhitaryan: Besojmë te finalja e Champions-it sërish

Futboll

Mkhitaryan: Besojmë te finalja e Champions-it sërish

Më: 21 nëntor 2024 Në ora: 11:46
Mkhitaryan

“Edhe pse kisha mjaft përvojë dhe dëshirë, e fillova shumë keq. Nuk është e lehtë dhe nuk e prisja, por po e rigjej veten dhe ndihem mjaft mirë. Jam shumë kritik ndaj vetes”. Henrikh Mkhitaryan nuk i fsheh vështirësitë që hasi në fillim të sezonit, por tani ndihet gati për ta ndihmuar Interin në arritjen e objektivave. Ai dëshiron të luajë sa më shumë, sepse e shijon ende maksimalisht futbollin: “Janë vitet e fundit të karrierës sime, sa më shumë të luaj, aq më shumë kënaqem”.

I pyetur nga “Corriere della Sera” për prioritetet mes Champions-it dhe Serie A, armeniani u përgjigj: “Nuk fokusohemi më shumë në Champions sesa në kampionat. Japim maksimumin në të gjitha garat”. Përsa i përket Ligës së Kampionëve, ai shtoi: “Rikthimi në finale do të ishte një ëndërr, edhe pse rruga tani është më e gjatë se dy vite më parë. Megjithatë, ne besojmë. Jemi të sigurt se mund t’ia dalim përsëri”.

Për kampionatin italian: “Shumë skuadra duan ta fitojnë titullin, por edhe ne e duam më shumë se të tjerët. Kemi humbur disa pike, që nuk duhej, përndryshe do të ishim tashmë në krye. E dimë që është një kampionat ndryshe dhe duhet të përmirësohemi. Unë jam optimist”.

Henrikh, i cili ka dy diploma dhe flet pesë gjuhë, nuk është i apasionuar pas tatuazheve, ndërsa mbetet modest për të ardhmen: “A do të jem trajner, politikan apo president i federatës, siç thonë në Armeni? Nuk e di ende”.

Duke folur për trajnerët, ai vlerësoi Simone Inzaghin: “Inzaghi është i shkëlqyer si trajner dhe si person. Nuk e them këtë vetëm sepse është trajneri im. Bëjmë edhe shaka bashkë, por i njoh kufijtë. Si i ri, mendoja ndryshe. Besoja se një trajner nuk mund të ishte mik, se ekzistonte një barrierë. Tani që i kuptoj gjërat, gjithçka është më e lehtë për mua”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat