Carlo Ancelotti, me rastin e hapjes së vitit akademik 2024-2025 të Shkollës Universitare të Real Madridit, theksoi rolin vendimtar që ka Florentino Pérez në sukseset sportive të klubit madrilen. “Puna e presidentit është spektakolare, klubi fiton falë punës që ai ka arritur të bëjë”, – deklaroi trajneri italian, duke vënë në dukje organizimin dhe standardet e larta që karakterizojnë Real Madridin.
Ancelotti gjithashtu theksoi pasionin si shtysën kryesore të karrierës së tij futbollistike dhe ambientin familjar brenda klubit. Ai pranoi se Real Madridi është unik për refuzimin ndaj humbjes, një mentalitet që i shtyn lojtarët dhe stafin drejt arritjes së maksimumit në klubin e bardhë.
“Pasioni është karburanti. Nëse ke fatin të bësh gjëra me pasion, kjo të lejon t’i bësh ato me disiplinë, sakrificë dhe përkushtim. Për mua, futbolli nuk është një punë. Nëse pas çdo pune qëndron pasioni, atëherë është më e lehtë ta bësh. Unë kam pasur fatin të bëj një punë që nuk e konsideroj punë, sepse e shijoj. E nisa që i vogël si një pasion dhe vazhdon ta bëj me pasion.
Real Madridi ka fituar dhe vazhdon të fitojë shumë në historinë e tij, sepse nuk i pëlqen të humbasë apo të barazojë. Ka klube që e pranojnë humbjen, ndryshe nga Real Madridi. Kjo rrit kërkesat dhe përgjegjësinë për të gjithë ata që punojnë në këtë klub.
Çelësi i suksesit? Kam punuar në shumë klube të nivelit të lartë, por Real Madridi është më i madhi në botë, për historinë, organizimin dhe kërkesat e tij… Kupton që këtu, gjëja më e rëndësishme është suksesi në nivel sportiv. Puna e presidentit është e jashtëzakonshme; klubi fiton falë punës së tij.
Real Madridi është një familje e bashkuar. Kalojmë shumë kohë këtu dhe atmosfera të ndihmon të nxjerrësh më të mirën nga vetja. Personalisht, preferoj të punoj në një ambient familjar. Çdo ditë e ndiej këtë atmosferë.
‘La Décima’? Isha i bindur se mund të ndodhte. Duhet të kesh besim deri në sekondën e fundit. Kur shënuam golin, ndjeva se ishte e mundur”.