Vazhdon shqetësimi rumun, tani me Federatën e Futbollit të Suedisë.
“Suedia bashkohet me Federatën e Futbollit të Kosovës kundër Rumanisë:
Ka bërë ankesë. Ndeshja duhet të vendoset në fushë!", është titulli i mediumit rumun “Sport. ro”.
“Federata Suedeze e Futbollit konteston fitoren e Rumanisë në tavolinën e gjelbër me rezultat zyrtar 3:0 kundër Kosovës.
Nordikët që e konsiderojnë veten të pafavorizuar nga mënyra se si përfunduan grupet e Ligës së Kombeve.
Kombëtarja e Jon Dahl Tomasson e përfundoi Grupin C1 me 16 pikë dhe +15 gola diferencë, të mjaftueshme për të kaluar Rumaninë në renditjen e përgjithshme nëse ndeshja e trikolorëve kundër Kosovës do të kishte përfunduar në barazim 0:0, siç ishte rezultati para se Kosova të braktisë ndeshjen në minutën e 90+3.
Kim Kallstrom, zyrtar i federatës suedeze: “Ndeshjet duhet të vendosen në fushë!”.
"Ne jemi të vetëdijshëm se është bërë ankesë nga Kosova. Ne jemi duke monitoruar situatën dhe jemi në kontakt me Federatën e Futbollit të Kosovës. Besojmë se ndeshja do të vendoset në fushë", - tha Kim Kallstrom në një mesazh të dërguar përmes zyrtares për media Petra Thoren dhe e cituar nga “Fotboll Skanalen”.
Pse Suedia është e frustruar. Një vend minus në renditje do të thotë një mundësi më pak për play-off
Pas vendimit të UEFA-s, Suedia ra një pozicion në renditjen e fituesve të grupeve më të mira në Ligën e Kombeve, në vendin e 10-të", ka shkruar mes të tjera mediumi rumun “Sport. ro”.
Avokati i FFK-së, Taulant Hodaj, ka njoftuar se do të ankohet në CAS: “Do të bëjmë gjithçka për të ndryshuar rezultatin e ndeshjes dhe për të ashpërsuar ndëshkimet ndaj FRF-së”.