Rudi Vata ka kritikuar Kombëtaren e Shqipërisë, pasi kjo e fundit ra në Ligën C të UEFA Nations League pas humbjes së fundit ndaj Ukrainës në “Air Albania”.
Legjenda e futbollit shqiptar ka analizuar thellë këtë situatë, por ka folur edhe për sulmuesin e Evertonit, Armando Broja.
Ai thotë se si është e mundur që kur Broja të jetë në grumbullim, të merr kaq pak minuta edhe pse është lojtari më i mirë në Kombëtaren “kuqezi”.
“Broja kur vjen në Shqipëri, si ka mundësi që nuk merr minuta. Informacionet që më vijnë, më thonë se aty ka problem grupi sepse në momentin që Broja ka kulturë tjetër, i rritur në Angli, kur vjen këtu dhe i shikon gjërat shqip…
“Lojtari më i mirë që ka Kombëtarja është Broja dhe me siguri koncepti i tij i të menduarit, i bisedave dhe shkrirjes me grupin, nuk është i njëjtë. Ka një hendek dhe shumë kritikojnë Brojën. Për mendimin tim, është mënyra sesi ne qasemi dhe nuk arrijmë ta menaxhojmë situatën”, ka thënë Rudi Vata gjatë një interviste për “Panorama sport”
Kujtojmë se Armando Broja ishte në grumbullim me Kombëtaren e Shqipërisë në Euro-n24, por nuk startoi në të gjitha ndeshjes. Kurse, në këto muajt e fundit ai është i lënduar dhe mungoi te fanella “kuqezi”.