Gazeta britanike “The Guardian” i ka kushtuar një shkrim situatës së Armando Brojës, i dëmtuar prej disa kohësh, kur mund të kthehet në fushë dhe çfarë pret Evertoni prej tij:
“Sean Dyche është shpresëplotë se Armando Broja është afër debutimit tek Everton, me klubin që shpreson ta rikthejë sulmuesin e huazuar nga Chelsea nga lëndimi sa më shpejt të jetë e mundur.
Broja iu bashkua Evertonit vonë, në ditën e fundit të merkatos së verës, por nuk ka luajtur që nga lëndimi i tendinit të Akilit gjatë përgatitjeve para-sezonale. Ishte pikërisht ky dëmtim ai që frenoi transferimin e mundshëm të shqiptarit te Ipswich.
23-vjeçari mbetet i paarritshëm për ndeshjen e së shtunës në shtëpi kundër Brentford, por mund të luajë me ekipin e të rinjve (U-21), ndërkohë që po tenton të kapë formën optimale fizike.
Trajneri i Evertonit tha: “Ai ka bërë mjaftueshëm punë këtu, por nuk mund t’ia riprodhojmë ndjesinë e ndeshjeve me stërvitje, prandaj do të preferoja ta dërgoja tek ekipi i të rinjve, sepse atje së paku do t’i duket si ndeshje. Tani po diskutojmë hapat e ardhshëm. Ai ka pasur një javë shumë të fortë dhe rehabilitim të suksesshëm, prandaj shpresojmë që kjo ta përshpejtojë rikthimin më shumë se sa do ta donim zakonisht”.
Evertoni ka mundësinë ta blejë Brojën përfundimisht verën e ardhshme dhe ka nevojë urgjente për më shumë forcë sulmuese. Dyche shpreson që futbollisti shqiptar dhe Youssef Chermiti, një tjetër sulmues që nuk ka luajtur këtë sezon për shkak të lëndimit, do të jenë në dispozicion për të adresuar këtë problem përpara Krishtlindjeve.
“Mund të jemi para këtij problemi, – tha ai. – Do të duhet të presim dhe të shohim. Nuk ka qenë e vështirë të jem i duruar me të, sepse nuk ke zgjedhje. Ka disa lëndime për të cilat mendon: Vërtet? Por për këtë duhej të ishim të kujdesshëm, sepse ishte një lëndim tendini”.
Pronari i mundshëm i ri i Evertonit, Grupi Friedkin, po pret miratimin nga Premier League për ofertën e tij për të blerë Farhad Moshirin. Dyche thotë se fondet për përforcime në merkaton e janarit do të mbeten të vogla, përveç nëse kjo marrëveshje kalon para se të hapet afati kalimtar.
“Nuk ka asnjë lajm, – tha ai për blerjen e klubit. – Prandaj po punojmë në përputhje me situatën aktuale të klubit, e cila është shumë, shumë e arsyeshme financiarisht. Nëse ‘Grupi Friedkin’ arrin të marrë klubin dhe ta mbyllë këtë marrëveshje, atëherë gjërat mund të ndryshojnë. Por për momentin po punojmë sipas udhëzimeve që ishin më parë”.