Lamine Yamal është një nga yjet e Barcelonës, i rilindur falë Hansi Flick dhe një sulmi atomik i përbërë edhe nga Raphinha dhe Robert Lewandowski.
Një treshe vërtet fantastike, por janë shifrat e të riut spanjoll që bëjnë përshtypje më së shumti.
Yamal, vetëm 17 vjec, ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 8 asistime në 19 ndeshje në të gjitha turnetë deri më tani këtë sezon. Shifra që ilustrojnë rëndësinë e tij brenda grupit, ashtu sikurse pat bërë edhe në Euro 2024.
Drejtuesit e klubit “blaugrana” e dinë mirë këtë dhe janë gati ta mbajnë përgjithnjë talentin e tyre më të madh. Sipas “El Chiringuito”, Barça i ka ofruar Yamal një kontratë të re 6-vjeçare, e cila mund të nënshkruhet pasi lojtari të mbushë 18 vjeç, më 13 korrik të vitit të ardhshëm.
Në marrëveshje, padyshim, do të ketë një klauzolë të re prej 1 miliardë eurosh. Ideja është qartë, që te Barcelona të mbrohen nga sulmet e klubeve të interesuara për fenomenin, veçanërisht nga PSG.
Disa ditë më parë Enric Masip, këshilltari i Joan Laporta, zbuloi se klubi i Al-Khelaïfi kishte ofruar 200 milionë euro verën e kaluar për Yamal, i cili ka kontratë që skadon në qershor 2026. Gjithsesi, te PSG e kanë mohuar, por shpresat për ta larguar Yamal nga Katalonja kanë qenë gjithmonë të pakta.