Pep Guardiola ka insistuar se nuk do të largohet nga Mançester Siti nëse ky i fundit dënohet nga Premier Liga dhe zbritet një kategori më poshtë për shkeljet financiare që ka bërë ndër vite. “Qytetarët” janë në pritje të vendimit të Premier Ligës për 115 akuzat që kanë ngritur kundër tyre për mosrespektim të rregullave financiare.
Duke folur në konferencën për mediat për duelin me Totenhemin, ndër të tjera Guardiola shpjegoi se pse kishte vendosur të rinovonte kontratën për dy vite të tjera me Sitin.
“E kam thënë që 6 muaj më parë, kur të gjithë klubet na akuzuan se kemi bërë diçka gabim, se çfarë do të ndodhte nëse do binim nga kategoria. Unë do të jem këtu. Vitin e ardhshëm, nëse do të jemi një kategori më poshtë, ne do të ngjitemi në Premier Ligë.
E dija atëherë, e di edhe tani.
Pse kontratë dyvjeçare? Nuk dua që në sezonin e ardhshëm në shtator, tetor, nëntor, të diskutohet që është viti i fundit i Pep.
Nuk dua të jem në atë pozitë. Unë dua të qëndroj dy vite, por nëse rezultatet nuk janë të mira, atëherë nuk do të jenë dy vite”, tha tekniku rreth të ardhmes së tij.