Nesër Çairi pritet të jetë epiqendra e futbollit, aty ku mejdanin do të ndajnë dy ish skuadrat kampione të Maqedonisë së Veriut, FC Shkupi dhe Sileksi.
“Plotë 13 tituj peshojnë këto dy skuadra, me FC Shkupin që për herë të fundit kampion doli në vitin 2022.
Pikërisht titulli kampion do të jetë synimi i skuadrës tonë me pronarët e rinj, që vijnë nga Gjermania.
Pronari i ri do të jetë prezent në shkallët e stadiumit, që nesër pritet të jetë i stërmbushur, duke i uruar një mirëseardhje të ngrohtë presidentit të ri.
Pikërisht ndeshja e nesërme kundër Sileksit do të jetë testi i parë i yni si skuadër, për të dëshmuar veten si në tribuna, po ashtu edhe në fushën e blertë para pronarit të ri.
“Shvercerat” do të kenë fjalën kryesore në tribuna, derisa futbollistët në fushën e blertë. Shpresojmë bashkë të dalim faqebardhë dhe të dëshmojmë se FC Shkupi ka nevojë për një sponzor serioz, i cili do të rikthejë lavdinë e klubit.
Pra të gjithë të mobilizuar dhe mirë të organizuar ta bindim pronarin e ri, se FC Shkupi me të vërtetë meriton përkrahje financiare stabile, pasi është një klub me traditë, me tifozëri të madhe, që vendin e ka në majat e futbollit vendor.
Nesër të gjithë së bashku në stadium për të festuar dhe për të paralajmëruar rikthimin e FC Shkupit të vërtetë, për të festuar datëlindjen e 35-të, të “Shvercerave” tanë, por njëherit për të paralajmëruar edhe festën e 28 nëntorit, që është vetëm një ditë pas ndeshjes tjetër shumë të rëndësishme të skuadrës tonë, atë kundër Shkëndijës në Tetovë që do ta zhvillojmë të mërkurën.
Pra le të festojmë ashtu siç na ka hije…
Ne jena Shkupi”, ka njoftuar FC Shkupi.