​Cana: Kosova s’e ka vendin në Ligën C, ndeshja me Rumaninë s’duhej braktisur

Futboll

​Cana: Kosova s’e ka vendin në Ligën C, ndeshja me Rumaninë s’duhej braktisur

Më: 24 nëntor 2024 Në ora: 09:24
Lorik Cana

Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana ka theksuar se vendimi i lojtarëve të Kosovës për ta braktisur ndeshjen ndaj Rumanisë në minutat shtesë nuk ishte i duhuri.

Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, ish-mesfushori kuq e zi ka thënë se i ka pëlqyer forca e përbashkët e skuadrës në atë ndeshje si dhe respektimi i vendimit të kapitenit Amir Rrahamani por ka vënë në pikëpyetje nëse një vendim i tillë - për ta braktisur ndeshjen - do të merrej sikur Kosova të ishte duke fituar në ato momente.

Cana: Po të ishim duke fituar, a do ta braktisnim ndeshjen me Rumaninë?

“Mua më pyesin shumë për këtë punë. Nuk besoj se diçka është bërë me dëshirë, me qëllim të keq apo në ndonjë mënyrë të keqe. Kur mua ma bëjnë këtë pyetje, unë ua bëjë një pyetje tjetër shumë të thjeshtë. Nëse ne do të ishim 1-0 duke e fituar atë lojë, a do ta kishim lënë? Merre vet përgjigen, të kishim qenë ne duke fituar 1-0 në minutën ‘93, a do ta kishim lënë lojën? Shumica e njerëzve më thonë: ‘Jo nuk do ta linim’ dhe e kemi përgjigen”, ka thënë Cana.

Ai shtoi se pamja në fushë ku e gjithë skuadra mbështeti vendimin e kapitenit Amir Rrahmani e bëri të ndjehej jashtëzakonisht mirë.

Cana: U ndjeva mirë kur të gjithë mbështetën vendimin e kapitenit

“Një gjë mua më ka ardhur mirë, kur kapiteni vendosë, e gjithë skuadra ka vendosur si një trup dhe kjo duhet të bazohet si forcë e skuadrës pavarësisht asaj a kanë bërë mirë apo keq. Amiri [Rrahmani] është kapiten i skuadrës dhe vendimin që e ka marrë ai apo federata mund të jetë i mirë ose i gabuar varësisht si e gjykojnë, mua kur më pyesin a kanë bërë mirë, unë iu them, nëse do ta marrësh përgjigjen, për dy minuta nëse isha duke fituar nuk do ta lija lojën. Gjithsesi faktori i një ekipi të mbledhur dhe që e merr vendimin bashkë, duhet të bazohet në atë forcë për çdo moment që ekipi ka për t’u zhvilluar dhe për çdo sfidë që e ka përpara”, ka thënë tutje Cana.

Cana thekson gjithashtu me bindje të plotë se Kosova nuk e ka vendin në Ligën C, por së paku një rang më lartë, në Ligën B.

Cana: Kosova nuk e ka vendin në Grupin C

“Kosova nuk e ka vendin te Grupi C. Kosova me lojtarët që ka, skuadrën që ka, cilësitë që ka, e ka vendin te Grupi B dhe aty mandej unë mendoj se mund të gjykohet se si mund të jemi dhe në çfarë niveli jemi, pastaj se ku mund të përfaqësohemi në momentin kur fillojmë të garojmë në Grupin B. Play off-i kundër Islandës nuk do të jetë i lehtë por janë ato momente kur duhet të bëhet një hap përpara. I njëjti proces, edhe ky ekip duhet të piqet, edhe ky ekip duhet të luajë edhe pak së bashku edhe kanë nevojë për lojtarët më të mirë që janë në momentin dhe në formën e duhur dhe kjo [ndeshja] e marsit jep një shtytje për inkuadrim në Grupin B ku i përket Kosovës sepse nuk e gjykojë unë Kosovën në momentin që e fiton Grupin C, pavarësisht se e ka pasur aty një Rumani por e pamë në ndeshjen e fundit mua Rumania mu duk sikur Andora, e kjo është meritë e Kosovës”, ka thënë Cana për KosovaPress.

Ai nuk ka lënë pa komentuar edhe ecurinë e dobët të Kombëtares shqiptare në këtë edicion të Ligës së Kombeve, aty ku kuqezinjtë përfunduan të fundit në grup, me vetëm shtatë pikë.

Cana: Kombëtares shqiptare i nevojitet më shumë karakter

“Nuk e di për fjalën dështim, sigurisht se vendi i fundit nuk është i mirë si dhe zbritja një ligë më poshtë, mandej kur luan në Ligën e Kombeve dhe je në Grupin B, pothuajse katër ekipet nuk janë shumë larg njëra tjetrës, dhe në ndeshjen e fundit mund të ishin edhe në vendin e parë por edhe në të fundit, janë detajet. Unë mendoj se cilësia dhe kualiteti është dëshmuar me kualifikimin në Kampionatin Evropian, është një skuadër që thjeshtë duhet të piqet pak dhe duhet të nxjerrë një pjesë të karakterit të vet për t’u rritur por potenciali është aty dhe dhe besoj që e ardhmja do të jetë shumë e mirë”, ka përfunduar Cana.

Në ndeshjen që u zhvillua në Bukuresht, në kuadër të Liges së Kombeve, lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 92-të pas thirrjeve raciste nga tifozët rumunë.

Ditë më parë, shtëpia evropiane e futbollit - UEFA mori vendim që ndeshja e ndërperë ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë t’i takojë rumunëve me rezultat zyrtar 3-0.

Kosova në play off për të kaluar në Ligën B, do të ballafaqohet me Islandën në dy ndeshje që do të zhvillohen në muajin mars të vitit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat