Zgjatja e kontratës së trajnerit të Mançester Sitit, Pep Guardiola, është një lajm i mirë për Premier Ligën, thotë trajneri i Liverpulit, Arne Slot.
Guardiola, i cili drejton Sitin që nga viti 2016, ka nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare që do të zgjasë deri në vitin 2027.
“Reds” përfunduan përpara Sitit kur fituan titullin në 2020, dhe të dy klubet kanë krijuar një nga rivalitetet kryesore në Angli. Këtë vit, skuadra e holandezit kryeson +5 nga kampionët e Guardiolës pas 11 javësh.
I pyetur për kontratën e re të Guardiolës, Slot tha: “Është një lajm i mirë për Sitin dhe ligën, sepse të gjithë duan menaxherët më të mirë dhe lojtarët më të mirë këtu. Ai është padyshim një nga menaxherët më të mirë, ndoshta trajneri më i mirë i ligës. Ai ka fituar katër tituj radhazi, kështu që është e drejtë të thuhet se ai është ndoshta trajneri më i mirë në ligë.
Nga ana tjetër, ata kanë aq shumë lojtarë cilësorë sa që, nëse ai do të kishte bërë zgjedhjen për t’u larguar, nuk do të prisja që ata të përfundonin në fund të renditjes sezonin e ardhshëm”.
Slot, duke folur para transfertës së skuadrës së tij kundër Sauthemptonit të dielën, shtoi se Guardiola ishte “një nga menaxherët më të mirë që ka pasur ndonjëherë futbolli”. Ish-trajneri i Barcelonës dhe Bajernit të Mynihut ka fituar 18 trofe në “Etihad”, duke përfshirë Ligën e Kampioneve në vitin 2023.