Avokati i FFK-së Taulant Hodaj ka dalë në mbështetje të kapitenit të kombëtares së Kosovës në futboll Amir Rrahmani për ndërprerjen e takimit kundër Rumanisë, pasi ish-kapiteni i kombëtares së Shqipërisë Lorik Cana kritikoi vendimin duke thënë se nuk ishte i duhuri.
UEFA ka regjistruar me rezultat zyrtar 3:0 ndeshjen Rumani-Kosovë, e ndërprerë në minutën e katërt shtesë pranë rezultatit 0:0, shkaku i fyerjeve raciste të tifozëve rumunë drejtuar futbollistëve dardanë që vendosën të mos ktheheshin në fushën e blertë.
Një vendim i tillë, i cili u mor nga kapiteni Amir Rrahmani me bashkëlojtarë dhe stafin e kombëtares, ka marrë kritika nga futbollisti i madh Lorik Cana, i cili në një intervistë për KosovaPress e quajti një veprim të tillë si jo të duhur.
“Me gjithë respektin për ish-kapitenin Lorik Cana dhe kontributin e tij për futbollin shqiptar, këtë herë nuk mund të pajtohem me mendimin e tij. Vendimi për të ndërprerë ndeshjen ndaj Rumanisë ishte i drejtë dhe i domosdoshëm. Sjelljet e vazhdueshme raciste, ksenofobe, politike, fyese dhe diskriminuese të tifozëve rumunë (tashmë të vërtetuara nga vendimi i UEFA-së) nuk mund të tolerohen në asnjë fushë sportive, në fakt këto veprime të tifozëve Rumunë sollën ndërprerjen e ndeshjes e jo veprimi i futbollistëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e avokatit Hodaj.
Hodaj thotë se kapiteni Amir Rrahmani, tregoi lidership dhe karakter të jashtëzakonshëm duke mbrojtur dinjitetin e shtetit dhe ekipit tonë në një situatë që kërkonte vendosmëri dhe kurajë, sidomos nëse shikohet kontesti i veprimeve fyese e raciste të tifozëve që nga ndeshja e vitit të kaluar në Rumani.
“Futbolli nuk është thjesht lojë, është gjithashtu respekt dhe barazi – dhe nëse nuk ka këto, atëherë s’ka as lojë. Përgjigjja nuk është “po të ishim duke fituar.” Përgjigja është: asnjë fitore nuk vlen nëse komprometojmë vlerat tona. Kosova nuk ka nevojë për lëshime për të provuar se meriton të jetë aty ku është – këtë e ka dëshmuar në fushë dhe duhet të dëshmoj me punë dhe profesionalizëm.
Amir Rrahmani dhe skuadra vepruan ashtu siç duhet të veprojë një ekip që mbron krenarinë dhe dinjitetin e vendit të vet. Ashtu si e do rendi, ish -kapitenët e Shqipërisë dhe Kosovës është mirë t’i përkrahin dhe mbrojnë futbollistët në vendimet e tyre të drejta e të dinjitetshme, ashtu si dëshmoi kapiteni ynë Amir Rrahmani. Për respekt dhe dinjitet në futboll, jo racizëm dhe urrejtje!”, ka përfunduar Hodaj.
Ndryshe, Lorik Cana në intervistën për KosovaPress kishte një koment interesant.
“Mua më pyesin shumë për këtë punë. Nuk besoj se diçka është bërë me dëshirë, me qëllim të keq apo në ndonjë mënyrë të keqe. Kur mua ma bëjnë këtë pyetje, unë ua bëj një pyetje tjetër shumë të thjeshtë. Nëse ne do të ishim 1-0 duke e fituar atë lojë, a do ta kishim lënë? Merre vetë përgjigjen, të kishim qenë ne duke fituar 1-0 në minutën ‘93, a do ta kishim lënë lojën? Shumica e njerëzve më thonë: ‘Jo nuk do ta linim’ dhe e kemi përgjigjen”, ka thënë Cana.