Orges Shehi, ish-portieri i Kombëtares ka dhënë mendimin e tij për ecurinë e Shqipërisë në Nations League. Ish-trajneri i tiranës thekson se grupi ishte i barabartë dhe situata duhej vlerësuar më mirë. Për Shehin, bileta Nations League dikur nuk ekzistonte dhe kjo është një ‘dhuratë’ plus për Kombëtaren që të arrijë më shumë kualifikime.
“Ia kemi arritur deri diku të mbajmë standardet. Ishte një grup shumë konkurrues. Diferenca e pikëve ishte e ngushtë. Ndeshja shkoi ashtu siç shkoi. Mund të ngjiteshim, por edhe të binim. Ishte një takim determinant. Futbolli është konkurrues.
Nuk mund të jemi rival të Gjermanisë dhe Italisë. Por me këto kundërshtarë më të lehtë duhet të japim maksimumin. E filluam shumë keq ndeshjen me Ukrainën me 2 gola direkt. Ishim si të barabartë me të gjithë në grup.
Kur ishim për herë të parë në Europian, nuk kishim Nations League. Kishim vetëm kualifikuese.
Kjo është frika. A do të vazhdojmë të jemi konkurrues? Duhen vlerësuar situatat, se ato të çojnë në një pikë më lartë.”, u shpreh Orges Shehi.