Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka vlerësuar formën e Sportingut të Lisbonës, por njëkohësisht ka kërkuar nga ekipi i tij të tregojë aftësitë.
Ai ka folur para përballjes në Champions League, e cila zhvillohet të martën.
"Forma që ata po tregojnë është e jashtëzakonshme", ka deklaruar Arteta në konferencën për shtyp. "Kjo tregon se nuk është vetëm cilësia apo ambicia, por edhe energjia e ekipit që kanë. Nesër kemi një sfidë të madhe, të tregojmë se jemi të aftë kundër kundërshtarëve të këtij niveli, të jemi vetvetja dhe të fitojmë ndeshjen".
Arsenali ka pasur një nisje të vështirë në ndeshjet jashtë fushe në Evropë, duke mos arritur të fitojë në katër përballjet e fundit. Arteta beson se ekipi i tij ka bërë përmirësime të dukshme, sidomos duke u bazuar në paraqitjen ndaj Interit, një ekip që arriti finalen e Champions League në vitin 2023.
"Duke parë mënyrën se si luajtëm ndaj Interit, një skuadër që ka qenë kaq dominuese në ligën e saj dhe që arriti finalen e Champions League, mund të them se dominuam në atë ndeshje", është shprehur ai.
Megjithatë, trajneri spanjoll pranoi se skuadra duhet të bëjë hapin tjetër për të konkretizuar paraqitjet e mira. Ai ka theksuar rëndësinë e të qenit efikas dhe të pamëshirshëm për të siguruar pikët maksimale nga kjo sfidë.