Mazrekaj: Besën e dua në krye

Futboll

Mazrekaj: Besën e dua në krye

Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 15:12
Mazrekaj

Pas dy fitoreve në transfertë, atë në Kukës dhe në Peshkopi, Besa po vijon rrugën drejt rikthimit pas shumë vitesh në Superiore.

Në suksesin e fundit me Korabin, serinë e golave e hapi golashënuesi më i mirë i skuadrës Mentor Mazrekaj.

Sulmuesi ktheu në gol një penallti dhe për momentin është futbollisti më në formë i kavajasve.

Pas fitores, në një intervistë për “Panorama Sport”, Mazrekaj thotë se përtej shifrave 3-0, ndeshja nuk ishte aq e lehtë. Përkundrazi ishte vetë loja e Besës që e bëri të lehtë atë sukses:

“Asnjëherë Besa nuk e ka pasur të lehtë në Peshkopi dhe është mundur, por me ndryshimin se nuk ka pasur një grup të tillë. Ne e dinim çfarë na priste dhe kërkuam të shënonim sa më shpejt për të marrë frenat e lojës në dorë. Ia arritëm, madje duke shënuar edhe golin e dytë, por me një lojë të balancuar e të kujdesshme, nuk e lejuam Korabin asnjëherë të na rrezikonte. Thënë ndryshe, ishte Besa që komandoi lojën dhe nuk i dha asnjë shans Korabit të shfaqej ai që është, pasi dibranët kanë në përbërje futbollistë me përvojë dhe ekspertë për këtë kategori”, thotë fillimisht Mentori.

Golashënues- Mazrekaj deri tani është në kuotën e 9 golave, po aq sa Ruzgis i Vorës. Duke folur më tej, ai shprehet se çmimi i golashënuesit nuk është objektivi personal i tij: “Është e vërtetë që dua të shënoj sa më shumë gola, por që ato t’i dhurojnë pikë ekipit tim. E them hapur, se posti i golashënuesit më të mirë nuk është në objektivat e mia personale, por Besa të jetë në postin e kryekipit”.

Kalendari- Kavajasit i paraprin një short mjaft i favorshëm, teksa do të luajnë jashtë Kavaje vetëm me Vorën, Kastriotin e Flamurtarin, tashmë rivalët direkt për Superiore. Për Mazrekajn kjo nuk ka asnjë vlerë pasi fushën e përcakton vetë Besa me lojën e saj. “Kam dëgjuar se na favorizon kalendari, por unë nuk mendoj kështu. E para, pasi kemi fituar rresht në transferta, Kukës, Vlorë në Kupë dhe Peshkopi. E dyta dhe më kryesorja ka të bëjë me faktin se tani kushdo edhe Erzeni i vendit të fundit të hap punë sikurse edhe na hapi.

Pra, nuk ka asnjë efekt fakti se ku luajmë, Kavajë apo jashtë, por çfarë loje dhe angazhimi do të kemi ne. Nëse bëjmë mirë detyrat tona, nuk ka asnjë kundërshtar që do dilte i pamundur. Pra, fatet e Besës nuk varen nga fushat ku luajmë, por nga dëshira, sakrifica, angazhimi, taktika, loja që ne do prodhojmë. Jemi në formë të mirë, në rrugë të mbarë dhe kam bindjen se kështu do vijojmë edhe në javët që na presin. Ne qëndrojmë me këmbë në tokë dhe fitoret nuk na vetëkënaqin, por na kujtojnë se pa ato nuk mund të arrimë objektivin tonë madhor”, përfundoi Mentor Mazrekaj.

9 gola

ka shënuar Mentor Mazrekaj me fanellën e Besës së Kavajës. Sulmuesi ka luajtur 13 ndeshje deri tani dhe madje ka arritur të realizojë edhe një tripletë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat